Shpëtim Idrizi zgjidhet nënkryetar i Kuvendit. Dorëhiqet Dule: Institucionet, si plaçkë këmbimi

21/05/2015 00:00

Shpëtim Idrizi është zgjedhur nënkryetar i Parlamentit me 73 vota. Ky post i jepet PDIU-së pas kalimit të saj në mazhorancë dhe pritet të pasohet nga të tjera poste zëvendësministrash dhe nivelesh të tjera të qeverisjes.

Por, ndërsa pritej që kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet të ishte nënkryetari i tretë i Kuvendit, Vangjel Dule ka deklaruar lënien e këtij posti. Shkak është afrimi i partisë së Idrizit në qeverisje.

Përmes një njoftimi për mediat, Vangjel Dule tha se shkaku i largimit është shndërrimi i institucioneve në “plaçkë këmbimi” në tregun e aleancave të rrjedhshme, fenomen që bie ndesh me parimet, botëkuptimin dhe ndërgjegjen e e tij politike.

Në këtë njoftim, kreu i PBDNJ-së nuk saktëson nëse do të vijojë të jetë më pjesë e mazhorancës së majtë, por jo zyrtarisht nga kjo parti konfirmohet largimi edhe nga bashkëqeverisja me PS-në.

Vangjel Dule mbante postin e nënkryetarit të Kuvendit që nga shtatori i vitit 2013.

Top Channel