Rama në Rrashbull, shpërndan leje legalizimi dhe kërkon votën për Dakon

21/05/2015 00:00

Përveçse një bastion i Partisë Demokratike, Rrashbulli është edhe një prej zonave me informalitetin më të lartë në shkallë vendi, që me ndarjen e re administrative bëhet pjesë e bashkisë së madhe të Durrësit.

Kryeministri Edi Rama shpërndau leje legalizimi falas për banorët e Rrashbullit dhe kërkoi votën për mazhorancën më 21 Qershor.

“Unë e di që keni votuar Partinë Demokratike, për arsye që vetëm ju e dini, por nga viti 2006 deri në vitin 2009 janë 5500 aplikime për legalizime dhe vetëm 59 kanë marrë dritën jeshile, e shumica e tyre biznese, sepse bizneset kanë ryshfet më të madh. Ne, në kaq pak kohë, kalojmë 7 mijë legalizimet në bashkinë e re të Durrësit”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se ka ende shumë punë për të bërë në këtë sektor, por shprehu bindjen se vendi është në drejtimin e duhur për të ndërtuar një shtet me rregulla të barabarta për të gjithë qytetarët.

Ndërtimet kanë shkatërruar pjesën më të madhe të bregdetit në këtë territor, dhe për këtë, Rama tha se komuna e Rrashbullit do të hyjë në histori si një nga komunat ku ka ndodhur shkatërrimi më i madh i pasurisë së përbashkët.

“Pallate në majë të kodrave ndërtojnë vetëm barbarët, dhe leje për pallate në kodër japin vetëm barbarët”, shtoi kryeministri.

Rama kërkoi votën për Vangjush Dakon më 21 Qershor dhe akuzoi opozitën dhe kandidatët e saj se nuk kanë alternativë për qeverisjen vendore.

“Më 21 Qershor keni mundësinë të jeni pjesë e një historie krejt të re, që nis falë ndarjes së re administrative. Kushdo që nuk sheh me mendtë e SHQUP-it, sheh se ajo që ka ndodhur në Durrës, patjetër që do të shtrihet edhe deri këtu. Nëse për banorët e qytetit të Durrësit, Durrësi është sot më i bukur, më i pastër dhe më shpresëdhënës se asnjëherë në këto 20 vite, patjetër që do të jenë edhe këto komuna. Kush do ndërtojë kopshte, çerdhe, menaxhimin e mbetjeve? Kush do t’i bëjë këto? Ata nuk flasin fare për këto sepse nuk dinë, sepse po të kishin ditur do na tregonin një shembull dhe do të na thonin; ja siç e bëmë atje do ta bëjmë edhe këtu”, deklaroi kreu i mazhorancës.

Top Channel