Gjykata Speciale, Kryesia e Kuvendit mblidhet të premten për amendamentet

21/05/2015 00:00

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar për të premten një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, ku do të shqyrtohen amendamentet kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda Kuvendit, se anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare do të kenë për herë të parë para vetes propozim-ndryshimet kushtetuese dhe do të vendosin, se kur do të votohen në Kuvend. Për këtë të fundit duhen votat e dy të tretave të deputetëve.

Krahas ndryshimeve kushtetuese, Kuvendi duhet të miratojë edhe ligjin për Gjykatën Speciale të krimeve të luftës, për të zyrtarizuar formimin e kësaj gjykate. Por, ligji që është hartuar nga Bashkimi Europian, ende nuk e ka marrë miratimin e qeverisë, për t’u proceduar më pas në Kuvend.

Mësohet se, krerët më të lartë të shtetit kanë diskutuar për formën e miratimit të amendamenteve kushtetuese dhe ligjit në një seancë të vetme, edhe pse për këtë çështje ka paqartësi proceduriale, pasi Kuvendi nuk mund të shqyrtojë një ligj për Gjykatën Speciale, derisa nuk ndryshohet Kushtetuta, që ta lejojë krijimin e saj.

Edhe për këto paqartësi, pritet që Kryesia e Kuvendit të diskutojë në mbledhjen e së premtes.

Top Channel