Peqin, prindi hyri me gërshërë në klasë se i “ngacmonin” vajzën

21/05/2015 00:00

Stafi i “Pasdites” ka ndjekur një ditë të zakonshme në shkollën 9-vjeçare “Shefit Hekali”, në komunën Përparim të Peqinit. Kur e viziton për herë të parë, krijon bindjen se bëhet fjalë për një ambient mësimor, ku punohet e mësohet me pasion.

Por rutina doli jashtë asaj të përditshmes 10 ditë më parë, kur mamaja e një nxënëseje të klasës së shtatë kanosi me gërshërë dy djem të së njëjtës klasë, me pretendimin se i ngacmonin vajzën.

Sipas shpjegimit të stafit pedagogjik, djemtë kishin shkruar emrin e shoqes në murin e jashtëm të shkollës. Ka qenë mësuesja kujdestare, ajo që ka ndërhyrë për të qetësuar situatën, në momentet kur gruaja kishte nxjerrë nga kabineti i Informatikës vajzat dhe kishte mbajtur brenda djemtë.

“Nxitimthi dhe e revoltuar futem në klasë, sepse u habita nga fakti që ajo kishte hyrë dhe nxjerrë vajzat nga mësimi, pa pasur mësuesin kujdestar të pranishëm apo një mësues tjetër të shkollës. E gjeta përpara klasës me gërshërë në duar, duke u kërkuar djemve të pranishëm të tregonin se kush e kishte shkruar emrin e së bijës në muret e shkollës, duke i trembur nxënësit”, tha mësuesja kujdestare.

Dy nxënësit, të cilët u kanosën me gërshërë, nuk e pranojnë se kanë ngacmuar shoqen e tyre të klasës.

“Nuk më lëndoi fare, vetëm më grisi rrobat. Por u frikësova se mund të më priste. Nuk kam bërë asgjë të keqe”, thotë i pari.

“Kishim shumë frikë në ato momente, menduam se do na priste diku. Realisht s’kemi bërë asnjë veprim, të pretenduar nga prindi i asaj”, rrëfen i dyti.

E ndërsa ky është shpjegimi i mësueses dhe nxënësve, ai i familjarëvë të vajzës është krejt ndryshe.

Nënës i është dhënë masa “arrest me burg”, ndërsa i ati, i kontaktuar nëpërmjet telefonit, duke refuzuar me çdo kusht një intervistë, thotë se vajza e tij është prej vitesh pasojë e bulizmit.

I rebeluar, ai këmbëngul se e bija kthehet në shtëpi duke qarë në shumë raste, dhe se reagimi i së shoqes është pasojë e rasteve të shumta të talljes dhe ngacmimeve ndaj fëmijës së tyre, në ambientet e shkollës.

Mësuesja dhe drejtoresha e shkollës e mohojnë një pretendim të tillë.

“Nuk ka pasur asnjëherë më parë asnjë problem me vajzën në fjalë. As ndonjë shqetësim nga prindërit. Madje nga ky prind, për këtë rast, jo”, thotë mësuesja kujdestare.

“Jo, ankesa të mëparshme nuk ka pasur”, thekson drejtoresha e shkollës.

Top Channel