Në atelienë e skulptorit të çokollatës

21/05/2015 00:00

Nëse viziton atelienë e skulptorit shkodran, Ferid Kola, e kupton menjëerë që nuk ke të bësh vetëm me një artist.

Natyra mikpritëse e veriorit nuk i thotë kurrë jo vizitorëve kuriozë, që duan të shohin skulptorin gjatë punës. Mjeshtri energjik, së fundmi ka nisur të eksperimentojë, jo më me baltën apo bronzin, por me diçka të pazakontë.

“Dola në treg me gruan dhe pashë zarzavatet. Më shkoi menjëherë në mendje të bëja diçka, të cilën po e bëj në sytë tuaj”, thotë Ferid Kola.

Buka, gjalpi apo çokollata shkrijnë në duart e Feridit, në kuptimin e plotë të fjalës. Artisti po përgatit një skulpturë prej patëllxhani, si për të na treguar se, nuk ka shumë rëndësi lënda, por pasioni për artin.

“Siç e shikoni po bëj një pinguin. Bëra të dukshme pjesën e bardhë të tij të trupit (te patëllxhani), ndërkohë që i krijova edhe dy krahë. Duke përdorur karrotat do të bëj pjesën e këmbëve, ndërsa do të shfrytëzoj edhe dy kunja shkrepëseje, që kokrrat e barutit t’i përdor për sytë”, tregon Ferid Kola.

“Gjithçka brenda 10 minutave, pasi krijova fillimisht një imazh me mundësitë që të jep patëllxhani dhe karrota. Në natyrën time, duart nuk më rrinë rehat asnjëherë. Kudo që jam, mjafton edhe një tul buke kur hamë drekë me miq e me shokë, nis e krijoj figurina me tul buke: Rosa, lejlekë, mi, hardhuca”, thotë më tej Feridi.

Duket e pazakontë, Feridi mund t’i japë formë çdo gjëje. Orë të tëra në studio duken si sekonda, nëse nis një punë e re.

“Mua më tundon çdo formë dhe çdo gjë në natyrë. Kur jam vetëm, nuk mund të rri pa bërë gjë. Edhe kur shkoj për peshk, sepse e kam hobi gjuetinë, në momentin që nuk kam ç’të kap, rri edhe merrem me gjëra të tjera përreth. Krijoj variacione me shkopinj, apo gurë mbi gur”, thotë Feridi.

Në vitin 1975, ai realizoi veprën e parë: lapidarin e heronjve Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli.

Shpesh kujton me nostalgji, kur pranoi ofertën e skulptorit të popullit, Shaban Hadëri, për të punuar si bashkëpunëtor në monumentin e “5 heronjve të Vigut”. Mjeshti i bronzit, bukës, gjalpit apo çokollatës, kur nuk bën skulptura, kohën e lirë e kalon mes miqve, peshkimit pranë Bunës dhe sigurisht artistëve shkodranë.

Top Channel