PD hap zyrtarisht fushatën, Basha: Të ndalim me votë marshimin e së keqes

21/05/2015 00:00

Partia Demokratike mbajti në Pallatin e Kongreseve takimin e hapjes zyrtare të fushatës elektorale, ku të pranishëm, veç drejtuesve më të lartë të demokratëve, ishin edhe 61 kandidatët për kryetarë bashkie në të gjithë vendin dhe kryetarë të partive aleate në koalicionin opozitar.

Demokratët u shfaqën në formë të mirë elektorale, ku batutat nuk munguan mes kandidatëve.

“Unë jam ai burri i mirë nga Elbasani që Kryeministri dje i ofroi një krushqi, por a bëhet krushqi me Jovan Bregun? Kurrë”, tha Ardian Turku, kandidati i PD për bashkinë e Elbasanit.

Sipas mënyrës së tyre, të gjithë kandidatët sollën mesazhin kryesor të fushatës së opozitës.

“Le të bëjmë më të mirën për Shkodrën tonë, me punë dhe dinjitet”, u shpreh Voltana Ademi, kandidate për Bashkinë e Shkodrës.

“Le t’i kthejmë Korçës krenarinë e munguar. Të votojmë për më shumë punësim dhe dinjitet”, tha Gjergji Mero, kandidat i PD-së për Bashkinë e Korçës.

“Ka vetëm një mënyrë për të shkuar përpara: t’i thuash të aftit: Merre punën që të takon, merre dinjitetin që të takon dhe të shkojmë drejt progresit”, tha Grida Duma, kandidate për Bashkinë e Durrësit.

Nga entuziazmi u duk qartë dëshira sfiduese e demokratëve për të fituar Tiranën.

“Për punë dhe jo për fjalë, për punë dhe jo politikë, për punë dhe jo fajësim, për punë dhe dinjitet, për të gjithë ju, për Tiranën tonë të mrekullueshme, ju falenderoj shumë nga zemra”, u shpreh Halim Kosova.

Lulzim Basha tha se zgjedhja është shumë e thjeshtë.

“Vërtetësia e Halim Kosovës e ka nxjerr në pah me gjithë përmasën e vetë, falsitetin e Edi Ramës dhe kukullës së tij në Tiranë”, deklaroi Basha.

Këto zgjedhje, opozita i konsideron edhe një gjykim për qeverinë e Kryeministrit Rama, që sipas Lulzim Bashës është simbol i varfërisë dhe pasigurisë.

“Do të ishte ndryshe gjendja në vend, nëse Edi Rama do të luftonte varfërinë me të njëjtën kokëfortësi që më lufton mua. Do të uroja që me të njëjtin pasion që sulmon Partinë Demokratike të sulmonte papunësinë, që me të njëjtën forcë që e fajëson këdo përveç vetes së tij të ofronte zgjidhje për ju, të ulte çmimet, të ulte taksat, të rriste rrogat, pensionet”, tha kreu i PD-së.

Oferta e opozitës edhe në nivel lokal është ulja e taksave dhe qeverisja në interes të qytetarëve.

“Të ndalim me votë marshimin e së keqes; të fitojmë me votë dhe të fillojmë me votë një histori të re të demokracisë së re të qeverisjes me qytetarët, pranë qytetarëve dhe për qytetarët”, tha Lulzim Basha.

Fjalën e mori edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Edhe ai foli për rritje të papunësisë dhe këtu përmendi edhe një deklaratë të kryeministrit.

“Kryeministri e ka gjetur përgjigjen për rritjen e papunësisë, dhe sipas tij, shkak është rritja e kërkesës së njerëzve për të kërkuar punë në zyrat e hapura nga Erioni”, tha Mediu.

Top Channel