Vangjel Dule jep dorëheqjen si nënkryetar Kuvendi, Idrizi: Ky zervist i kohëve moderne!

21/05/2015 00:00

Shpëtim Idrizi u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, një votim që ringjalli debatin, jo të papritur, mes kreut të PDIU-së dhe kryetari të PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Pak çaste pas votimit në seancën plenare, ku Idrizi u zgjodh nënkryetar i tretë, Vangjel Dule njoftoi publikisht dorëheqjen nga ky pozicion, duke akuzuar madje se institucionet janë shndërruar në “plaçkë këmbimi”.

Kjo deklaratë e tij ka ngjallur reagimin akoma më të ashpër prej Shpëtim Idrizit. Kreu i PDIU-së, përmes rrjeteve sociale shkruan: “Vangjel Dule paska dhënë dorëheqjen, sapo ka mësuar emërimin tim në këtë post. Pa dashje, ky Zerv-ist i kohëve moderne, ka nxjerrë në pah atë, që i vlon në mendje dhe zemër; urrejtjen gjakatare ndaj shqiptarëve të Çamërisë, duke shpresuar që historia ta ndalë turravrapin e vet këtu e 70 vjet më parë, dhe viktima të vazhdojë të mbetet viktimë, ndërsa agresori të vazhdojë të mbetet agresor e fitimtar i së keqes”.

Për kreun e PDIU-së, Vangjel Dule nuk mund të përfaqësojë minoritetin grek në Shqipëri.

“Ajo çka vërtetoi edhe njëherë Vangjel Dule është se ai nuk përfaqëson as vëllezërit tanë minoritarë e as mentalitetin e shëndetshëm të një pjese të shoqërisë greke. Ai përfaqëson idealet e Agimit të Artë, të cilat nuk mund të pranohen kurrë në Shqipëri! Këtë përgjigje do t’ja japë çdo qytetar i këtij vendi, shqiptarët e Çamërisë, shqiptarët e çdo treve tjetër, akoma edhe më shumë minoriteti grek në Shqipëri, që nuk ka asnjë lidhje me mentalitetin përjashtues e urryes të këtij individi”, mbyll Idrizi reagimin e tij.

Top Channel