Debat i ashpër Topalli-Meta. Akuza për blerjen e votës

21/05/2015 00:00

Një tjetër akuzë për skemë të vjedhjes së votës në 21 Qershor, nga ish-kryeparlamentarja Topalli për pasuesin e saj në këtë post, Ilir Meta, ka shkaktuar debat mes të dyve, duke tërhequr vëmendjen për tonin e përdorur ndaj njëri-tjetrit.

“Formularin plotësoje me 30 vota të familjes tënde, e nëse jo, ti nuk je më nesër në punë (aludon për urdhër nga LSI e Metës). Pse nuk ndodh kjo? Po, sot, dje e pardje, në çdo qytet të vendit, sidomos nga LSI-ja”, u shpreh nga foltorja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

“Është e drejta jote të jesh e pacipë, por ti ke hall tjetër, sepse do të justifikohesh më 21 Qershor për rezultatin e partisë tënde dhe do t’ua vësh fajin të tjerëve. Nuk ta jap më fjalën, sepse e kam bërë dhe ti je aq e pacipë sa të njeh Shkodra shumë mirë dhe do të ta japë përgjigjen më 21 Qershor. Atë që quaje ti mafje dhe ai që të quante ty moldave, këto i ke harruar ti, por jo njerëzit. Sot jeni aleatë, por përgjigjen do ta marrësh më 21 Qershor. Unë për zhelesh nuk të kap, përkundrazi kam respekt dhe sillem gjithmonë me dashuri e me respekt për ty dhe doktorin”, reagoi kryeparlamentari Meta.

Demokratët reaguan më pas nga selia, duke e cilësuar fyerje të ulët të Ilir Metës ndaj zonjës Topalli, që sipas tyre, është edhe më e papranueshme, kur kjo bëhet nga një kryetar Kuvendi, që sipas demokratëve është akuzuar si porositës i dy vrasjeve.

“Fyerjet e z. Meta ndaj znj. Jozefina Topalli janë shenjë e degjenerimit të plotë dhe të agonisë, ku gjendet sot kjo mazhorancë, dyshja Rama-Meta, në prag të votës së 21 Qershorit. Ilir Meta është i fundit në këtë Parlament, që duhet të ketë kurajën për të bërë ofendime të ulëta, pasi ai vjen nga një akuzë publike për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Akuzë që erdhi nga vetë radhët e mazhorancës së tij. Koha e kësaj dysheje, që dhunon Parlamentin e opozitën po vjen drejt fundit. Ata mund t’u shpëtojnë organeve të drejtësisë, por jo drejtësisë së popullit. Ora po vjen, 21 Qershori po afron”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.

Top Channel