ILDKPKI kallëzon Dritan Priftin: Fshehu 4.6 milionë euro; ish-deputeti akuzon Metën

21/05/2015 00:00

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave kallëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme ish-deputetin dhe ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti.

Sipas deklaratës për mediat, ILDKPKI e ka dorëzuar materialin pas një kontrolli dhe rikontrolli të plotë të deklaratave të interesave private të Priftit, për funksionet e tij si ish-ministër e ish-deputet i Kuvendit, për periudhën dhjetë-vjeçare 2003-2013.

ILDKPKI thotë se, nga ky verifikim rezultojnë fshehje e pasurive, deklarime të rreme, kontrata fiktive pasurish, transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare, si dhe dyshime për pastrim parash brenda dhe jashtë vendit. Shuma e dyshuar mbërrin në 4 milionë e 600 mijë euro.

Por ILDKPKI nënvizon se, përveç dorëzimit të kallëzimit, këmbëngul që prokuroria t’i shtrijë hetimet paraprake edhe më tej, me qëllim për të zbuluar nëse ndodhemi para veprave të tjera penale.

Menjëherë pas këtij kallëzimi ka reaguar Dritan Prifti, i cili e konsideroi këtë veprim si një persekutim politik, që po i bëhet për shkak se është mik me deputetin Tom Doshi.

“I kam dhënë porosi avokatit tim në Tiranë të ndjekë të gjitha çështjet me institucionet e drejtësisë, të bëjë kallëzim penal për ata që shpërdorojnë detyrën e shtetit duke sajuar histori si kjo e sotmja, që kredinë e biznesit e quajnë fshehje të pasurisë sime, apo dhuratën e bashkisë për fëmijën tim, meqë ishte i treti, e quajnë sërish fshehje. Nga Fieri ku jam dhe ku kam rrënjët e familjes sime, e ku kam mbështetësit e mi më të mëdhenj, do t’i bëj një premtim elektoratit të Fierit: Unë do ta mund Ilir Metën një ditë”, deklaroi Dritan Prifti.

Top Channel