Vdekja e fëmijëve në Korfuz, “Thomas Cook” dëmshpërblen prindërit

21/05/2015 00:00

Kompania ajrore “Thomas Cook”  ka vendosur të dëmshpërblejë prindërit e dy fëmijëve të cilët vdiqën nga monoksidi karbonit gjatë pushimeve të tyre në Korfuz në vitin 2006.

Pas një takimi që kishin me drejtorin e kompanisë Peter Fankhauser, prindërit Sharon Wood dhe Neil Shepherd kanë thënë se ka ardhur koha që të vazhdojnë përpara, ndërsa shpreson që kompania të marrë leksionin e duhur nga kjo tragjedi.

“Asgjë nuk mund të kthejë fëmijët tanë, ose lumturinë që kishim dikur. Askush nuk mund të heq dhimbjen e madhe që ka familja dhe miqtë për Christ-in dhe Bobby-n. Ne nuk mund ta ndryshojmë të shkuarën, duhet vetëm ta pranojmë atë, prandaj ka ardhur koha që të shikojmë përpara. Urojmë që ‘Thomas Cook’dhe gjithë ata që kanë qëndruar në krah të kompanisë, të marrin leksionin e duhur nga kjo tragjedi”-, është shprehur zonja Wood.

Bobby dhe Christ-i ishin duke qëndruar në katin e parë të një hoteli në Korfuz, bashkë me babain e tyre Neil Shepherd dhe të dashurën e tij, Ruth, aktualisht gruaja e tij, kur ndodhi tragjedia.

Avokati i prindërve, Leslie Thomas ka treguar se kompania ajrore ka kërkuar falje, për herë të parë në një takim kokë me kokë me prindërit. Ndërsa, ka bërë të ditur se të ardhurat nga dëmshpërblimi do të jepen për bamirësi.

“Për herë të parë ‘Thomas Cook’ ka bërë gjënë e duhur. Zotëri Frankhasuer është ballafaquar me klientët e mi dhe u ka kërkuar falje për gjitha gabimet që ai dhe kompania e tij kanë bërë këto nëntë vite. Ata kanë vendosur që të dëmshpërblejnë prindërit, por të ardhurat do të shkojnë për bamirësi”-, është shprehur ai.

Top Channel