ISIS, Rusia i ofron edhe ndihmë ushtarake Irakut

21/05/2015 00:00

Rusia i ka ofruar Irakut ndihmë ushtarake dhe ndihma të tjera, teksa kryeministri irakian, Haidar al-Abadi ka vizituar këtë të enjte Moskën, për të zmbrapsur militantët e Shtetit Islamik, të cilët së fundi kanë korrur të tjera suksese, si në Irak edhe në Siri.

Avancimet e ISIS, që kanë prekur edhe qytetin irakian të Ramadit gjatë fundjavës së kaluar, ndërkohë që gjatë kësaj të enjteje kanë marrë përfundimisht qytetin historik të Palmirës në Sirinë fqinje, kanë ekspozuar mangësitë e ushtrisë irakiane dhe kufizimet e sulmeve ajrore të udhëhequra prej Shteteve të Bashkuara.

E pavarësisht përkeqësimit të situatës së sigurisë, Abadi ka vijuar me vizitën e tij në Moskë, ku ka dashur të nënvizojë rëndësinë e marrëdhënieve të vendit të tij me Rusinë, duke shtuar se nuk i kishte marrë parasysh disa “forca” që e kishin këshilluar atë të anulonte udhëtimin.

“Jemi duke zgjeruar bashkëpunimin tonë në fushën e teknologjisë ushtarake”, tha Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë fillimit të bisedimeve me Abadin në Kremlin, duke lavdëruar Irakun si një “partner të vjetër dhe të besueshëm në rajon”.

“Marrëdhëniet tona po zhvillohen në mënyrë të suksesshme. Kompanitë tona po punojnë në vendin tuaj dhe jemi duke folur për investime në shumat e miliarda dollarëve”, shtoi Putin, pa zbuluar ndonjë shifër apo detaj tjetër.

Kompanitë ruse janë përfshirë në ekonominë irakiane prej dekadash gjatë regjimit të Saddam Husseinit, si dhe kanë kundërshtuar ashpër ndërhyrjen ushtarake të udhëhequr prej SHBA-ve në vitin 2003 në Irak, gjatë të cilave u rrëzua diktatori, por vendi u fut në një periudhë të stërzgjatur trazirash.

Më herët, gjatë së enjtes, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se Moska do të bëjë çdo përpjekje për të ndihmuar Irakun kundër Shtetit Islamik.

“Jemi fokusuar në zhvillimin e marrëdhënieve në të gjitha sferat, përfshi edhe bashkëpunimin teknik-ushtarak, ato ekonomike dhe në sektorin e naftës dhe gazit natyror”, tha Abadi. Rënia globale e çmimit të naftës kanë detyruar Rusinë të kërkojë marrëdhënie më të ngushta me Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), ku bën pjesë edhe Iraku.

Top Channel