“Top Story”, Veliaj prezanton programin për Tiranën: Do të anuloj planin e Bashës

21/05/2015 00:00

Fushata elektorale nisi edhe zyrtarisht, megjithëse kandidatët e dy kampeve kryesore kanë nisur prej disa ditësh takimet me qytetarët në kërkim të votës së tyre.

Vëmendja më e madhe është përqendruar në Tiranë, ku Erion Veliaj është përballë Halim Kosovës. Si Veliaj, ashtu edhe Kosova, këto ditë janë përfshirë në takime të shpeshta me qytetarët për t’i prezantuar ata me programin që kanë, por edhe për të marrë shqetësimet e tyre.

E pikërisht, në përfundim të turit të dëgjesave 10-ditore, Erion Veliaj mbërrin me një program, që e shpalosi këtë të enjte me Sokol Ballën në Top Story

***

Sokol Balla: Sot keni premtuar që do të shpalosni për herë të parë programin tuaj, apo atë të qeverisjes së majtë në Tiranë, nëse do ta riktheni? Sa kohë keni që e mendoni projektin?

Erion Veliaj, kandidat i ASHE për Bashkinë e Tiranës: Që nga 16 prilli, kur u njoftua emri nga PS-ja, por mendoja çdo ditë për të kthyer Tiranën në punë pas katër viteve letargjie.

Sokol Balla: 16 prilli ishte data kur Edi Rama deklaroi që ju do të ishit kandidati. A ka qenë në mendjen tuaj Tirana para kësaj date?

Erion Veliaj: Nuk kam pasur një projekt të tillë. Edhe në javën e fundit si ministër kam qenë në krye të punës. Ditën e fundit biles kemi kaluar ligjin e dosjeve për të mbërritur në një fazë që ndajmë Shqipërinë nga Rusia, si të vetmit vende pa transparancë. Rama më dha privilegjin për t’u shërbyer 1 milion shqiptarëve. Ka qenë puna më e bukur në botë për mua, dhe besoj se edhe tjetra do jetë po aq.

Sokol Balla: A ishte procesi i mirëfilltë demokratik apo preferencë e Ramës?

Erion Veliaj: Unë di të them që kemi pasur 12 biseda të ndara në 12 qarqet. Në një proces isha subjekt, në një tjetër ishta objekt. Mund të flas vetëm për atë të Gjirokastrës, që ishte demokratik, dhe ku isha pjesë si deputet. Besoj që i njëjti proces ndodhi edhe në Tiranë.

Sokol Balla: Ka pasur shumë informacione, ka pasur zëra të cilët kontestonin mënyrën sesi po përzgjidheshit. Emri juaj nuk ishte risi, jeni përfolur si një nga emrat që mund të kandidonin. Në shtator 2014 pyeta Ramën, për këtë gjë. Përgjigjia e tij ishte se “nuk ka asgjë të vërtetë në këtë dhe mund t’ju siguroj që Erion Veliaj do të jetë ministër deri në fund të mandatit”. Çfarë ndryshoi?

Erion Veliaj: Duhet të pyesni zotin Rama. Ai është kapiteni i ekipit tonë, që menaxhon një skuadër të qeverisjes vendore dhe një të qeverisjes qendrore. Besoj që përsa kohë ka këtë besim maksimal të publikut shqiptar dhe në qeverisjen tonë solide, është vendimi i kapitenit për të propozuar sesi luan skuadra.

Sokol Balla: Pra, ka qenë vendim i Ramës?

Erion Veliaj: Besoj është e pamundur që të jesh i suksesshëm sot pa pasur bekimin e kapitenit. Rama dhe Meta kanë qenë kyç për kalimin e refomrmave që sot ndryshojnë jetë njerëzish. Kemi ndërmarrë një sfidë kur kemi hapur zyrat e punës, shkollat profesionale, s’kemi marrë vendime të lehta dhe në këtë sens është e pakontestueshme mbështetja e kryeministrit dhe e kryetarit të Kuvendit.

Sokol Balla: Ndonjëherë garat dhe stilet brenda një partie konceptohen si përballje të fortësh, apo gjelash, në fakt duhet të jetë një përballje projektesh, sidomos kur bëhet fjalë për kryeqytetin. Do ishte më mirë që në gjirin e PS, mes kandidatëve që u përfolën, të kishtë përballje të vërteta projektesh?

Erion Veliaj: Sot kemi një lajm të mirë. Blendi Klosi është ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, dhe i uroj suksese, për ironi ministria i shërben 1 mln banorëve, dhe tirana është 1 mln banorë.

Sokol Balla: Përzgjedhja e zotit Klosi, më shumë sesa për aftësitë e tij duket si kompensim…

Erion Veliaj: Jam këtu për të folur për të ardhmen dhe për të kthyer Tiranën në punë.

Sokol Balla: A është Erion Veliaj një figurë konsensuale? Keni marrë mbështetje nga Majko dhe Blushi, por prania e Saimir Tahirit në promon tuaj elektorale, duket e sforcuar për të zbehur atë që flitej që kishte një rivalitet mes teje dhe Tahirit?

Erion Veliaj: Në ekip i kemi rolet e ndara. Në këtë betejë unë jam kandidat i ASHE në Tiranë, saimir Tahiri është kapiteni ynë për Tiranën. Saimiri është sot ministri më i suksesshëm i Brendshëm që ka pasur Shqipëria. Sot flasim me fakte që kemi rënie të krimit, polici korrekte dhe disiplinore. Me Pandin (Pandeli Majko) marrëdhënia është ndryshe. Ai është një mentor. Pandi ka qenë gjithnjë dikush me të cilin ne komunikonim. Jam i nderuar që kam bekimin dhe këshillën e tij në këtë garë.

Sokol Balla: Thuhet se për kandidaturën tuaj janë pyetur më shumë sesa deputetët e Tiranëës, janë pyetur të gjithë deputetët, dy janë shprehu kundër, dhe ata kanë qenë deputetë të Tiranës, dhe njëri prej tyre flitet se ka qenë Tahiri.

Erion Veliaj: Nga 88, 86 janë shprehur pro, kjo është goxha mbështetje. Saimiri është miku im i ngushtë, ne jemi të qartë që ne do të fitojmë bindshëm në Tiranë. Me fitoren e 21 Qershorit të kemi një larje haku të një poshtërimi të katër viteve më parë të qytetarëve të Tiranës. Siç u vodh ajo fitore, u vodhën edhe katër vite pasi asgjë nuk u bë.

Sokol Balla: Ju thoni që ka një sens hakmarrjeje, vendosjeje në vend të padrejtësisë së 2011. Në atë kohë, pala kundërshtare u paraqit në një koalicion të panatyrshëm, me Partinë Komuniste e të etj. Pak a shumë sot paraqitet edhe partia juaj, keni Idrizin, Ndokën, FRD, megjithatë, në të gjitha sondazhet jeni shfaqur në kuota të larta, por më të ulta se koalicioni?

Erion Veliaj: Nuk më shqetëson kjo. Ju thatë që përveç PS dhe LSI, që janë dy aleatë tradicionalë, sigurisht që në 3 vitet e ardhshme kam edhe një sfidë të dytë, sfidë me një anëtar të koalicionit që do të votojnë për herë të parë për një kandidat të majtë, për herë të parë t’u shërbej atyre si një kandidat i majtë. E shoh si mundësi për të rritur më shuëm përkrahjen publike të koalicionit, sesa një problem.

Sokol Balla: Keni pasur një histori ulje-ngritje, me Ilir Metën. U duk sikur partia juaj po asgjësonte efektin e qënies së LSI-së në 2009 jashtë koalicionit me PS. A u mor mendimi i Ilir Metës për kandidaturën tuaj?

Erion Veliaj: Kam pasur një përvojë të shkëlqyer me Metën në këtë 1 vit e gjysmë. Do të ishin të pamundura ktyo reforma nëse s’do të ishte mbështetja e Ilir Metës. Ka qenë kyç që disa vendime kritike të kalonin në një kohë rekord në Parlament, dhe disa ligje u bënë realitet falë kurajos së Ilir Metës. Ndjehem i nderuar që Ilir Meta mbështet kandidaturën time. Kam qenë i qartë që në momentin që u krijua ky koalicion.

Sokol Balla: Nëse fitoni më 21 Qershori, fitorja në Tiranë a është një hap për më tutje?

Erion Veliaj: Kam vetëm nëj ambicie në këtë moment, t’u shërbej qytetarëve të Tiranës, të bashkëpunoj me Qeverinë, të kthej Tiranën në punë, pasi ka 4 vjet që ka një kryetar bashkie që është turist. Besoj që ambicie më të madhe se kaq nuk mund të ketë njeriu. I fokusohem qytetit tim, ku kam lindur dhe jam rritur.

Sokol Balla: Është një nga mundësitë që të humbisni zgjedhjet, si do të jetë bashkëpunimi juaj me Bashën kryeministër? A do bashkëpunonit?

Erion Veliaj: S’dua të krahasohem me Bashën, sepse nuk mund të krahasosh një njeri që mban gjithmonë fjalën me një njeri që s’e mban atë. Po krahasohem me një njeri që ishte ministër i Jashtëm shiti detin, vrau 4 qytetarë në bulevard. Ambicia ime është për Tiranën dhe do t’i qendrëoj kësaj.

Sokol Balla: Teorikisht zgjedhjet e 2017-ës mund të zgjedhin një fitues tjetër, në këtë rast, ju si kryetar eventual Bashkisë së Tiranës, do detyroheshit të bashkëqeverisnit me një figurë të PD, mendoni që si një figurë politike qendrore, një bashkëqeverisje me Lulzim Bashën kryeministër do t’i ndihmonte apo ndëshkonte qytetarët e Tiranës?

Erion Veliaj: Që të jetë PD fituese në 2017, s’ka asnjë shans. Është zero sepse ajo që po thua ti është që ai që shkatërroi Tiranën në 4 vite, ta promovosh për të shkatërruar Shqipërinë. S’ka asnjë shans!

Sokol Balla: Kjo bashkëqeverisje, do të ishte e shëndetshme për interesat e qytetarëve të Tiranës?

Erion Veliaj: Po të thosha që do ta marr edhe me 1 gram të vërtetë hipotezën, fyej inteligjencën e qytetarëve, por më vjen keq, sepse shansi është zero. Ky vend është plot me njerëz të mençur.

Sokol Balla: Pse ju sulmojnë kaq shumë nga krahu tjetër?

Erion Veliaj: Do shqetësohesha nëse nuk më sulmojnë sepse do të thoshte që nuk po kryej asnjë punë dhe nuk po i prish terezinë asnjërit. Fakti që sulmohem nga ish-kryeministri, djali i tij dhe gjithë familja në hetim, do të thotë që u kam prishur terezinë.

Sokol Balla: Cila është e vërteta e shitësit të fiqve që kërkon të qeverisë Tiranën?

Erion Veliaj: E para njëherë është që unë nuk kam lindur me Halim Kosovën, kam lindur me një doktoreshë. Ajo që besoj unë është që, është fyese që të vënë dikë dhe të pyesë në mënyrë denigruese për kandidatin tjetër, është fyese! Kanë zgjedhur që të bëjnë një fushata barcaletash, denigruese, por besoj që kur të kap ajo inertësia e rrenave, s’di ku ndalon. Është njësoj si për Lulin. Nuk e nderon doktorin tonë kjo sjellje. Minimalisht për betimin e hipokratit, sekretet e klinikës duhet të ngelin brenda klinikës. Nuk është shenjë emancimi kjo. Unë kam shitur fiq kur kam qenë 12 vjeç. Kam qenë jetim, që jetoja vetëm me mamanë, dhe kam bërë punë të ndershme. S’e kam zili të jem si Shkëlzeni, të kem lindur me një baba të famshëm e të pasur, ndaj them që këtu kandidojnë dy modele, modeli që këta tallin, që ja dalin falë zellit dhe talentit të tyre, dhe modeli i barcaletave. Nuk kam asnjë kompleks për këtë. E ftoj për debat, por ne jemi modele të ndryshme.

Sokol Balla: Gara të tilla, jashtë është normale që rivalët ta dëgjojnë me vëmendje njëri-tjetrin, a e keni ndjekur fushatën e tij? I bëtë diversion që të vinte në këtë studio, shpresoj ta kem javën e ardhshme, por cilat do të ishin tre pyetjet e tua për të?

Erion Veliaj: Nuk është fare diversion. Unë jam gati të bëj debat me të kurdoherë. Nëse kanë një projekt të na e thonë. Ne kemi 10 ditë që dalim me kontrata për grupet e interesit. Është joserioze që t’u thuash 1 mln qytetarëve s’kam program, por barcaleta. Pyetja që kam është se çfarë mund të bëjë ky më mirë sepse këta e kanë bashkinë sot? Pyetjet janë këto, çfarë mendon për Gërdecin Halim Kosova? Ka një mendim për këtë? Çfarë mendimi ka për Sali Berishën? Si u qeverisëm për 8 vjet nga ai? Duhet ta dijmë këtë, s’e kemi dëgjuar këtë. Duhet ta dijmë çfarë mendon për shitjen e detit, për 21 Janarin? Këto janë pyetjet që do ja bëja.

Sokol Balla: Suksesi si ministër ka akumuluar vota edhe kundër Qeverisë, mendoni se do ju sjellë më shumë vota?

Erion Veliaj: Nuk më rezulton që ka akumuluar vota kundër qeverisjes së majtë. Janë bërë disa reforma shumë të vështira, që në pamje të parë kanë krijuar konflikt, por besoj që përtej një minorance që bëjnë shumë zhurmë, pjesa tjetër janë të kënaqur dhe mirëpresin reformat. Nuk jemi aty ku duhet, por jemi në drejtimin e duhur.

Sokol Balla: Donatorët do ju mbështesin në fushatë?

Erion Veliaj: Kam bvendosur një rregull që të mos pranojmë fonde nga donatorët, do të bëjmë një fushatë modeste, nëse krahason fushatën tonë me atë opozitës, e jona është më modeste se ajo e opozitës.

Sokol Balla: A do të kemi një Edi Rama Jr. në bashki?

Erion Veliaj: Pse mendoni se të jesh i ngjashëm dhe i aftë njësoj me Edi Ramën është problem? E vlerësoj besnikërinë si vlerë dhe qenien i afërt me Edi Ramën, e konsideroj vlerë dhe jo dobësi. Për mua është privilegj që të jem mik dhe bashkëpunëtor me Edi Ramën dhe ta shfrytëzoj këtë për të mirën e Tiranës.

Sokol Balla:  Në këtë garë nuk jeni vetëm ju dhe Kosova, por keni edhe 3 kandidatë të tjerë. Bojaxhi, edhe në rast se nuk fiton, do të zerë vend tek votat e Tiranës, por mos harrojmë edhe zotin Guri dhe Arben Tafajn.

Erion Veliaj: Ajo që shoh unë është që po zhvillohen dy gara brenda një gare. Një gare brenda Tiranës dhe një garë e 3-4 kandidatëve brenda së djathtës, se kush profilizohet më shumë tek e djathta. Ka një garë mes tyre, një garë për t’u profilizuar brenda PD. Kuptoj që të bësh populistin është një mënyrë për të bërë gjenë e duhur, por nuk do të dilja aty me një hartë dhe të thoja që ky pallati kështu e ashtu, do të flisja troç; do të thoja ky është pallati i Shkëlzen Berishës. Unë besoj që do të kishin më shumë mundësi kandidatët e djathtë, nëse gjërave u shkojnë deri në fund, distancimi i qartë nga pd, nga stili i ndarjes së lejeve m’u në prag të moratoriumit, leje që do të anulohen.

Sokol Balla: Përmendet ndërtimet në Digë, gjërat kanë rënë në heshtje, nuk flet njeri, folët para pak sekondash dhe thatë anulimin e këtyre lejeve…

Erion Veliaj: Nuk do të japim më leje në digën e Liqenit. Deri më tani bashkia ka qenë palë me ndërtuesit. Kemi humbur një shkallë në gjyq, por kemi edhe dy shkallët e tjera. Pas 21 Qershorit bashkia nuk është më palë me betonin, por me qytetarët. Ka shumë elemente antiligjore tek ato lejet. Për 60 lejet që ka dhënë Lulzim Basha do të bëj një beteje ligjore për të anuluar të gjitha ato.

Sokol Balla: Po me planin rregullues?

Erion Veliaj: Nuk është një plan rregullues, është një plan çrregullues, plan i betonit të Saliut dhe Lulit, nuk është plan për rregullimin e Tiranës. Do t’i kthehet një shesh pushimi qytetit, sepse kemi vetëm Parkun e Liqenit. Ne kemi në projekt Parkun e Dajtit, Parkun e Bulevardit të Ri, që do t’i japin Tiranës disa mushkëri. Do t’i kthehemi planit origjinal të Tiranës, jo ky plan që betonizon qytetin.

Sokol Balla: Kur nis projekti i bulevardit? Kosova ka premtuar se do ta bëjë në katër vjet bulevardin e Tiranës, ju keni ndonjë afat konkret?

Erion Veliaj: Kemi një plan që brenda mandatit të përfundojmë dhe ne kemi gati sot për Tiranën  13 projekte madhore. Do të funksionojmë me të njëjtën filozofi si në Qeveri.

Sokol Balla: Si do e zgjidhni çështjen e parkimit, duke pasur parasysh që këshilli bashkiak bllokoi projektin, që ka qenë projekt që daton që prej kohës kur ishte Edi Rama kryetar?

Erion Veliaj: Ata njerëz që janë të interesuar që t’i ofrojnë njerëzve parkim, s’kanë nevojë që të bëjnë afera korruptive me familjarë të kryetarit të bashkisë dhe të Shkëlzen Berishës. Kjo është e pandershme në kurriz të qytetit dhe e pandershme për qytetarët. Do t’i rikthehemi një projekti të vjetër, të sheshit Skënderbej për këmbësorë.

Sokol Balla: Çdo të bëni me këto projekte që keni në letër?

Erion Veliaj: E para, të përfundojmë në kohë rekord Unazën e Madhe, dhe në meqenëse do kemi zgjidhur Unazën e Madhe, besoj që do të jemi shumë herë më të lirshëm për të ecur më shpejt me projektet e Unazës së Vogël dhe me sheshet.

Sokol Balla: Sot Tirana ka disa hyrje ku asnjëra nuk ofron një qarkullim normal. Ju në pikat tuaja flisni për një hyrje në Tiranë nga “Rruga e Arbrit”, por të gjitha hyrjet paraqesin probleme…

Erion Veliaj: Hyrja e re do të jetë me “Rrugën e Dibrës”, që do të ketë një lidhje me “Rrugën e Arbrit”.  

Sokol Balla: Ju në pikat që keni ofruar, ka edhe projekte ambicioze në Tiranën e madhe?

Erion Veliaj: Ka shumë projekte, dhe jemi gati të nisim punë që më 22 qershor. I pari është kampusi universitar, është gati financimi. Është një lajm i mirë jo vetëm për qytetarët e Tiranës. Një projekt të dytë është bulevardi i ri i Tiranës, do të jetë një park qendror si një mushkëri pas Stacionit të Trenit. Kemi një masterplan për korsitë e biçikletave, synimi është që 4 për qind e popullsisë të përdorë biçikletat, sot kemi 0.4 për qind. Një tjetër plan është edhe parku i i integruar i Liqenit dhe Olimpik. Parku zoologjik do të zgjerohet në pjesën e kodrave, do të kemi një park të ngjashëm me Parkun e Liqenit të Tiranës. Do të ndjekim liqenin e Kasharit. Pazarin e Ri ta kthejme gjatë orëve të pasdites në një hapësirë të tipit të tavernave që shohim në Turqi, Greqi dhe Itali, ku kthehet në një hapësirë komunitare, kthehet në një model të rilindjes urbane dhe tërheq turistët.

Sokol Balla: Të gjitha këto do t’i bëni në 4 vjet?

Erion Veliaj: Besoj që ku ka vullnet çdo gjë mund të bëhet. Bashkia e Tiranës sot ka 0 aplikime në Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, dhe thonë pastaj që i bllokoi Edi Rama.

Top Channel