Rasti i Freddie Gray, akuzohen për vrasje 6 oficerët e policisë

21/05/2015 00:00

Kryeprokurorja e Merilendit në SHBA deklaroi se një ‘juri e madhe’, e cila kryesisht përbëhet nga 12 persona, ka akuzuar 6 oficerët e policisë për vdekjen e të riut Freddie Gray.

Sipas Marilyn Mosby, akuza më serioze që rëndon mbi policët është ajo e ‘vrasjes së shkallës së dytë’, e cila ka mbetur.

25-vjeçari me ngjyrë pësoi dëmtim të rëndë të shtyllës kurrizore gjatë udhëtimit me një mjet transportues të policisë pas prangosjes në duar dhe këmbë në fillim të prillit dhe ndërroi jetë një javë më vonë.

Prokurorët kanë thënë se arrestimi i tij ishte i jashtëligjshëm dhe ai kishte ndërruar jetë pasi oficerët dështuan t’i vinin atij rripin e sigurisë në mjetin transportues. Ndërsa një avokat, i cili përfaqëson 6 oficerët e policisë në Baltimore, të akuzuar për rastin e të riut, ka deklaruar se ata nuk bënë asgjë të gabuar.

Avokati Michael Davey deklaroi se gjatë gjithë kohës oficerët vepruan në mënyrë të arsyeshme dhe në përputhje me stërvitjen e tyre. Vdekja e Gray shkaktoi protesta të dhunshme në shtetin në fjalë.

Top Channel