SEECP mbledh ministrat e Jashtëm të rajonit në Tiranë. Mungojnë Greqia, Maqedonia dhe Kosova

22/05/2015 00:00

Me formatin e takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Organizatës së Europës Juglindore, nisi seria e aktiviteteve, që përmbyll Presidencën shqiptare të kësaj organizate.

Bashkëpunimi rajonal në Ballkan tregoi edhe njëherë se, nuk mund të kapërcejë marrëdhëniet e vështira dypalëshe mes fqinjëve. Kjo përforcohet nga mungesa e përfaqësimit në nivel ministri apo zëvendësministri të Greqisë, me të cilën kohët e fundit Shqipëria ka replikuar me nota zyrtare për shkak të kërkimeve për naftë e gaz, edhe në pjesën shqiptare të Jonit.

Reflektimi i kësaj marrëdhënieje, mesa duket është edhe përfaqësimi i Athinës me një drejtor në Ministrinë e Jashtme greke. Po ashtu, edhe Maqedonia ka ulur në këtë tryezë rajonale zv.kryeministrin shqiptar në qeverinë e Shkupit, Fatmir Besimi.

Nëse dihen arsyet e një përfaqësimi të tillë të Shkupit, e pakuptueshme mbetet mungesa e Hashim Thaçit, megjithëse ishte Shqipëria ajo që arriti t’i sigurojë Kosovës pjesëmarrje të përhershme gjatë Presidencës shqiptare.

Mungesa e shefave të diplomacisë së vendeve tona fqinje, rriti edhe më shumë vëmendjen ndaj pranisë së Ivica Daçiç, ministrit të Jashtëm serb, sikundër rriti peshën e mesazhit të minsitrit të Jashtëm shqiptar, që hapi edhe këtë takim mbi bashkëpunimin rajonal.

“Ne jemi duke jetuar në një botë, ku çështjet e brendshme dhe të jashtme janë të paqarta dhe ku çështjet globale e rajonale, gjithnjë e më shumë prekin qytetarët tanë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo kërkon më shumë fleksibilitet dhe kanale të shumta komunikimi. Ne duhet të forcojmë përkrahjen parlamentare, por gjithashtu duke përfshirë aktorë të tjerë, shoqërine civile dhe grupet e profesionistëve në procesin e integrimit rajonal”, tha kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati.

E gjithë vëmendja e medias ishte te fjalimi i ministrit të Jashtëm serb, që e shfrytëzoi për të theksuar se, vendi i tij është pro fqinjësisë së mirë, çka për Daçiç mori edhe vlerësimin e Brukselit. Duke e cilësuar një progres të Serbisë, dialogun me Prishtinën, Ivica Daçiç nuk anashkaloi të vendosë theksin te përparimi, që ka bërë vendi i tij në përmbushje të të drejtave të minoriteteve.

“Serbia ka një qasje aktive për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal. Këtë e demonstron rezultati i dialogut me Prishtinën, sikurse vendimet e qeverisë serbe, të cilat janë njohur nga Unioni Europian, çka u materializua me vendimin e Komisionit Europian, që pranoi të hapë procesin e negociatave me Serbinë. Zonja dhe zotërinj, bashkëpunimi rajonal varet nga vetë ne, nga të gjithë aktorët relevantë të rajonit”, tha ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç.

I vlerësuar si një kryesim i suksesshëm i Shqipërisë të SEECP-së, tashmë ky kryesim i kalon Bullgarisë.

Top Channel