Panariti, në Kuçovë: Organizimi i fermerëve në shoqata, objektiv i qeverisë

22/05/2015 00:00

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, është takuar me banorë të komunave Lumas, Kozare dhe Perondi, në Bashkinë e Kuçovës.

Gjatë fjalës së tij, Panariti tha se organizimi i fermerëve në shoqata është një nga objektivat kryesorë të maxhorancës.

“Kemi diskutuar për organizimin e fermerëve në shoqata, gjë që është një nga objektivat kryesore. Gjithsecili ka parasysh historinë e kooperativave të vjetra, por nuk bëhet fjalë për atë lloj. Bëhet fjalë për një bashkim krejt të ri, ku fermerët bashkojnë sipërfaqet e tyre dhe i vënë në dispozicion të një strukture unike prodhimi, një prodhim të organizuar gjë që bën edhe kostot e prodhimit bujqësor të jenë shumë më të ulëta. Bashkimi është i domosdoshëm, sepse krijon mundësi që edhe shteti të jetë më efektiv në ndihmën dhe në përkrahjen e bujqësisë, por njëkohësisht krijon zinxhirin e vlerës në prodhim, treg, krijim të ardhurave, agro-përpunim. Unë mendoj se kjo është fizionomia e bujqësisë moderne”, shpjegoi ministri i Bujqësisë.

Panariti, i cili shoqërohej në këtë takim nga kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Kuçovës, Selfo Kapllani, theksoi se zhvillimi i bujqësisë do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë edhe në zhvillimin e gjithë vendit.

Top Channel