Cani, në Porto Romano: Rritet përqindja e zhdoganimit të karburanteve

22/05/2015 00:00

Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka inspektuar depozitat bregdetare të Porto Romanos. Ai tha se kontrolli i nisur nga qeveria për hidrokarburet ka dhënë dhe rezultatet e para. Sipas Canit, ka një rritje prej 10% më shumë të sasive të zhdoganuara të karburanteve deri tani.

“Qëllimi është që në çdo hallkë të tregtimit të eleminojmë abuzimet me cilësinë dhe sasinë dhe të sigurojmë pagesën e të gjitha detyrimeve që parashikon ligji fiskal. Këtu në Porto Romano nuk funksionojnë vetëm grupet e përbashkëta të kontrollit, por në kufirin detar janë edhe grupet e Antikontrabandës, që kryejnë kontroll dhe matje në çdo anije me karburant që hyn në port. Ky kontroll i kryqëzuar ka sjellë edhe rezultatet e para, me të cilat jeni njohur edhe nga deklarimet zyrtare, por unë mund t’ju them se si rezultat i këtyre kontrolleve dhe mirëadministrimit doganor vërehet një rritje prej rreth 10% më shumë e sasive të zhdoganuara të karburanteve, deri tani”, tha ministri Cani.

Duke folur për markimin dhe monitorimin e karburanteve nga një kompani koncensionare, shefi i Financave shqiptare nënvizoi që, nëse vitin e kaluar ishte një numër i konsiderueshëm kompanish që refuzonin kontrollin e markimit nga kjo kompani, muajin që kaloi numri i tyre ishte zero.

“Në rast se nga monitorimi, kontrolli i subjekteve që janë të detyruar të kryejnë markimin, në tregun e shitjes më pas konstatohet karburant me përqindje më të ulët të shenjuesit nga ajo e injektuar në procesin fillestar, kjo do të thotë se ai është përzier me karburant tjetër të pashenjuar, pra të futur në mënyrë të paligjshme në treg, duke bërë evazion fiskal”, tha Cani.

Ai shtoi se “operacioni do të vijojë me këmbëngulje për të disiplinuar tregun e hidrokarbureve”.

Top Channel