Kosovë, më 29 maj votohet për Gjykatën Speciale

22/05/2015 00:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur, që më 29 maj të mbahet seanca, ku do të votohen amendamentet kushtetuese për Gjykatën Speciale. Në këtë seancë pritet të miratohet edhe ligji për Gjykatën Speciale, i cili paraprakisht, gjatë ditëve në vijim duhet të miratohet nga qeveria e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ftuar të gjithë spektrin politik, që të jenë unik në vendimin për formimin e Gjykatës Speciale.

“Për ne është shumë me rëndësi të kemi konsensus nacional. Kini parasysh se, pretendimet e Dick Martyt të votuara në Këshillin e Evropës, të nxjerra në konkludimet e raportit të Ëilliamsonit, janë duke u shndërruar në pengesë për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë. Ne nuk duhet të guxojmë, si institucione dhe si politikanë, të lejojmë që e ardhmja e vendit dhe e këtyre qytetarëve të mbetet peng. Ne duhet të jemi më të gjerë dhe të mendojmë për të ardhmen e këtij vendi”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Shefat e grupeve parlamentare të koalicionit qeveritar thanë se, i kanë votat për formimin e Gjykatës Speciale, ndërsa përfaqësuesit e opozitës paralajmëruan ndërmarrjen e gjitha veprimeve për të kundërshtuar formimin e saj.

“Ne e konsiderojmë shumë të dëmshme këtë që ka ndodhur dhe faktin, që po procedohen këto amendamente kushtetuese. Ne do të bëjmë të gjitha, duke filluar prej debateve parlamentare, përpjekjet për të bindur sa më shumë deputetë të mazhorancës, që të mos e votojnë këtë gjykatë shumë të dëmshme, e deri te takimet që do të mbajmë ditët e javën e ardhshme si opozitë, për të bashkërenduar se, deri në ç’masë dhe me çfarë metodash do ta kundërshtojmë themelimin e kësaj gjykate, shumë të dëmshme për Republikën tonë”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të VV.

“Ditët në vijim do të koordinohen punët dhe ne do të shprehim gjithë kundërshtimin tonë, qoftë në Parlament me debate, qoftë me bindjen e deputetëve, qoftë edhe me alternativa të tjera”, tha Pal Lekaj, deputet i AAK.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi të premten, që më 28 maj Kuvendi të mblidhet në një seancë tjetër plenare, për të miratuar në lexim të dytë pakon e projektligjeve, që ndërlidhen me procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Top Channel