ISIS, autorë të sulmit kamikaz në një xhami të Arabisë Saudite, me 21 viktima

22/05/2015 00:00

Një kamikaz ka hedhur veten në erë në një xhami shiite në lindje të Arabisë Saudite, duke shkaktuar vdekjen e plot 21 besimtarëve, të cilit ishin duke u falur gjatë atij momenti, bëjnë të ditur banorë lokalë dhe ministri i Shëndetësisë, një sulm që është marrë përsipër nga grupi xhihadist i Shtetit Islamik.

Një video e postuar në rrjetet sociale tregon ambientet brenda xhamisë të mbushura me tym, ndërkohë që trupat e viktimave, por edhe persona të gjakosur gjendeshin mbi dyshemenë e mbushur me rrënoja dhe xhama të thyera. Më shumë se 90 të tjerë janë plagusur, tha ministri për televizionin shtetëror.

Dëshmitarë okularë folën fillimisht për agjencinë e lajmeve “Reuters”, mbi një shpërthim të tmerrshëm në xhaminë Imami Ali, të fshatit al-Qadeeh, në lindje të vendit. Sipas tyre, në objektin e kultit kanë qenë duke u falur më shumë se 150 vetë në momentet e sulmit.

Shteti Islamik bëri të ditur përmes një deklarate se, njëri prej kamikazëve të grupit xhihadist, i identifikuar si Abu Ammar al-Najdi, kreu sulmin duke përdorur një rrip beli të mbushur me eksplozivë, që vrau ose plagosi 250 persona; siç raporton grupi monitorues me seli në SHBA, “SITE”. Ndërkohë, një fotograf postoi në rrjetet sociale pamje të një trupi të shpërfytyruar të një të riu, që besohet të ketë qenë kamikazi.

Minoriteti i rëndësishëm musliman shiit i Arabisë Saudite është i përqëndruar kryesisht në atë që njihet si provinca lindore, e së fundi ka pasur disa protesta sporadike për të drejta më të mëdha të ndjekësve të këtij sekti.

Ky i sotmi mendohet të jetë i pari sulm vetëvrasës ndaj një xhamie shiite të zonës në fjalë. Ai vjen në kohën, kur koalicioni i shteteve arabe, i udhëhequr prej sauditëve, rinisi fushatën e bombardimeve ajrore kundër rebelëve shiitë në Jemen.

Arabia Saudite është kërcënuar ndërkohë edhe nga Shteti Islamik, për shkak të shënjestrimit të këtij të fundit prej koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-të, ku bën pjesë dhe Mbretëria sunite.

Top Channel