Zgjidhen 5 anëtarët e Këshillit të Prokurorisë

22/05/2015 00:00

Mbledhja e përgjithshme e prokurorëve zgjodhi të premten 5 anëtarët e Këshillit të Prokurorisë.

Ata do të jenë: Arben Dollapaj, Dritan Peka, Irma Balli, Gentian Osmani dhe Ramadan Troci.

Para nisjes së votimit për anëtarët e rinj, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, shprehu vlerësimet për Këshillin e Prokurorisë në largim, duke veçuar, ndër të tjera, dy prej angazhimeve kryesore të kësaj strukture: procesin e vlerësimit vjetor të Prokurorëve, i cili nisi në vitin 2013, si edhe draftimin nga ana e Këshillit të Kodit të Etikës, një dokument që u miratua më pas nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili parashikon normat e sjelljes dhe forcimin e integritetit të prokurorëve, si edhe penalitetet në rast shkeljeje të tij.

Ndërsa lidhur me Këshillin e ri të Prokurorisë, Llalla tha: “Kërkoj angazhimin maksimal për të forcuar integritetin e trupës së prokurorëve. Të bashkëpunoni ngushtësisht me drejtuesit e prokurorive dhe Drejtorinë e Inspektimit për evidentimin e shkeljeve në radhët e prokurorëve dhe penalizimin e tyre.  Po ashtu, do i sugjeroja Këshillit të Prokurorisë që të jetë plotësisht realist në vlerësimin periodik të prokurorëve, por edhe të drejtuesve të prokurorive”.

Top Channel