Më shumë projekte të nisura, se sa para; FMN kërkon anulimin e disa investimeve

22/05/2015 00:00

Qeveria mund të anulojë disa nga investimet publike të nisura, për shkak se nuk ka para për të garantuar financimin e plotë të tyre.

Në një letërkëmbim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, qeveria pranon se vlera e punëve publike të nisura gjatë viteve të mëparshme, por të pabuxhetuara, e tejkalon aftësinë e saj për t’i absorbuar në buxhetin afatmesëm.

Kjo do të thotë se kostoja e projekteve apo punëve publike që aktualisht janë të hapura është më e madhe se sa fondi total i investimeve të buxhetit për tre vitet e ardhshme. Edhe pse ende nuk ka një shifër të saktë se sa është kjo diferencë, një vlerësim i përafërt i Ministrisë së Financave e nxjerr atë gati 500 milionë dollarë.

Nisja e punëve publike të pambuluara me financim është shndërruar në një traditë vitet e fundit duke bërë që shumë projekte të mos mbyllen për vite të tëra. Kjo ul eficencën e këtyre investimeve duke çuar në shpërdorimin e parave publike.

Në këtë situatë dhe përballë kërkesave të FMN-së për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt, qeveria zbulon se do të rivlerësojë të gjithë projektet ekzistuese. Në bazë të këtij rivlerësimi, Këshilli i Ministrave do të përcaktojë një listë, në të cilën do të jenë të renditura projektet që do të financohen. Lista do të bëhet publike para qershorit të këtij viti dhe ato projekte, të cilat nuk janë pjesë e saj, do të anulohen.

Paralelisht në kontratat e reja që nënshkruhen për punët publike, Ministria e Financave do të kërkojë vendosjen e një klauzole, sipas të cilës, nëse projekti avancon më shumë se sa fondi i buxhetuar, kontrata bëhet nul dhe kompania nuk do të marrë asnjë lekë nga buxheti.

Top Channel