Skandali me rimbursimet e ilaçeve, Beqaj: U zbulua dhe denoncua nga kontrolli qeveritar

22/05/2015 00:00

Raporti për abuzimet e 4 farmacive fiktive me rimbursimin e barnave është bërë nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, i cili në momentin kur do të rimbursoheshin 300 milionë lekë konstatoi abuzimet.

Sipas ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, është ende duke u punuar për të verifikuar abuzime të tjera.

“Është një vlerë rreth 300 milionë lekë, e cila është kërkuar për rimbursim dhe e bllokuar nga Fondi për t’u shlyer, sepse ka rezultuar të jetë e pabazuar. Ne arritëm të bëjmë një ulje të ndjeshme të çmimit të barnave, që ka sjellë rreth 70 milionë dollarë kursime për shqiptarët. Ndërkohë, jemi të vendosur që të vëmë para përgjegjësisë këdo person, këdo spekulant, batakçi që është brenda strukturave tona administrative, në shërbimin parësor apo dhe në rrjetin e hapur farmaceutik”, tha Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë.

Ndërsa përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Ledia Lazri, mohon që OBSH të ketë nisur një hetim apo raport në lidhje me këtë çështje.

“OBSH nuk udhëheq hetime, nuk bën hetime për situata të ngjashme. Përkundrazi, të gjitha raportet që ne formulojmë në vende të ndryshme të botës janë raporte publike që mund të gjenden lehtësisht në sitin publik të OBSH-së. Në këtë linjë unë dua të konfirmoj që nuk ekziston asnjë raport që është përgatitur apo duke u përgatitur mbi një çështje të caktuar”, tha Ledia Lazri, përfaqësuesja e OBSH-së në Tiranë.

Ministri i Shëndetësisë, Beqaj, shprehet se këto abuzime nuk u konstatuan nga opozita, por nga vetë strukturat qeveritare, çka dëshmon vendosmërinë e qeverisë për të luftuar korrupsionin.

“Opozita vazhdon të baltosë punën tonë, ndërkohë që qeveria vazhdon të jetë e angazhuar për të luftuar korrupsionin. Është absurde që ta bëjë këtë gjë me një dokument të hartuar nga strukturat antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave. Vetë strukturat e Fondit të Kujdesit Shëndetësor kanë bërë kallëzimin në prokurori dhe ne i kërkojmë prokurorisë të bëjë një hetim të plotë, duke nxjerrë para përgjegjësisë këdo që mund të rezultojë i përfshirë në këtë gjë”, tha Beqaj.

Kjo çështje është duke u ndjekur nga prokuroria dhe për arsye hetimore nuk jepen detaje të tjera në lidhje me raportin e FSDKSH-së.

Top Channel