Mesazh kërcënues Saimir Tahirit: Nëse merresh me familjen Gjuta, do ta pësosh

22/05/2015 00:00

Një mesazh kërcënues në telefonin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka detyruar agjentët e Policisë së Tiranës të kryejnë disa kontrolle të befasishme në bizneset dhe vilat e familjes Gjuta, ditën e enjte në Tiranë.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të Ministrisë së Brendshme. Përmbajtja e mesazhit ka qenë tekstualisht: “Nëse merresh me familjen Gjuta, do ta pësosh”. Pikërisht pas këtij mesazhi ka pasur kontrolle policore në pronat e kësaj familjeje.

Policia ka nisur hetimet për rastin, ndërsa ngjarja është referuar edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Dyshohet se autori i mesazhit kërcënues është Vladimir Gjuta, që besohet se ka qenë në Tiranë në momentin e kërcënimit. Ai është person i shpallur në kërkim, si autor i porositjes dhe aktivizimit në shpërthimin e tritolit në farmacinë e babait të ministrit.

Si uniformat blu, ashtu edhe organi i akuzës, shprehen tepër të rezervuara mbi rastin në fjalë për shkak edhe të sekretit hetimor.

Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se pas mesazhit kërcënues, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka rritur masat e sigurisë gjatë lëvizjeve të tij, duke shtuar numrin e automjeteve si dhe të truprojave.

Top Channel