Dëmet nga breshëri në Elbasan, ministri Panariti inspekton parcelat e dëmtuara

22/05/2015 00:00

Pas breshërit të dy ditëve më parë, i cili shkaktoi dëme të mëdha në disa fshatra të Elbasanit dhe Belshit, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti vlerëson se bujqësia shqiptare duhet futur në binarë ligjorë, duke u përfshirë në skemat e sigurimit.

Panariti premtoi se vitet e para skema e sigurimeve për fermerët do të mbulohet nga shteti, derisa këta të fundit të krijojnë kapitalet e tyre.

“Ne po bëjmë vlerësimin e shkallës së dëmit, përllogariten afërsisht 20 mijë metra linearë plastmas i dëmtuar, që ne jemi të angazhuar për ta zëvendësuar sa më shpejt të jetë e mundur, për arsye se prodhimi nuk pret. Ne e diskutuam këtë dhe me fermerët. Unë erdha së bashku me kolegun tim, z. Haxhinasto. Ju e shikoni, edhe brenda serrave ka dëmtime. Dëme të mëdha janë bërë dhe në pemishte, po sigurisht ato janë shumë të vështira për t’u rikuperuar për sezonin”, tha Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë.

Të dëmtuar rëndë nga kjo fatkeqësi natyrore, fermerët kërkuan ndihmën e qeverisë, pasi pjesa më e madhe e tyre kanë investuar me kredi. Janë ngritur tashmë dy grupe pune për menaxhimin e situatës dhe vlerësim e shkallës së dëmit, ndërkohë që paraprakisht mësohet se janë dëmtuar zarzavatet në sera, bima e duhanit si dhe pemtaria në dardhë e pjeshkë.

Top Channel