Kosovë-Serbi, marrëveshje për pikat kufitare sipas modelit IBM

22/05/2015 00:00

Me kryesimin e ministres për Dialogun, Edita Tahiri, delegacioni i Republikës së Kosovës mori pjesë gjatë së enjtes në takimin e radhës për zbatimin e marrëveshjes për “Menaxhimin e Integruar të Kufirit” për lëvizjen e lirë mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas një komunikate për shtyp, gjatë takimit u shënuan përparime dhe u ra dakord në planin për ndërtimin e 6 pikëkalimeve të përhershme kufitare të modelit IBM, mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, që do të realizohen dhe financohen nga Komisioni Evropian.

Me këtë rast, Komisioni Evropian raportoi se janë në fazën përfundimtare të nënshkrimit të kontratës me UNOPS-in, si partner implementues, dhe se ndërtimi i objekteve do të ndodhë së shpejti.

Buxheti i ndarë për ndërtimin e objekteve të përhershme të IBM-së, nga fondet e IPA-s për të dy shtetet, është mbi 21 milionë euro.

Marrëveshja për hapjen e dy pikëkalimeve të reja kufitare mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, parashikohn hapjen e një pikëkalimi kufitar te vendi i njohur si “Kapi e Sfircës”, që gjendet mes Komunës së Kamenicës dhe asaj të Medvegjës, si dhe një pikëkalim kufitar, që gjendet mes Zubin Potokut dhe Novi Pazarit.

Kërkesën për pikëkalimin kufitar te “Kapia e Sfircës” e ka bërë pala e Kosovës, duke u bazuar në kërkesat zyrtare të paraqitura nga Komuna e Medvegjës dhe Kamenicës, kërkesa të cilat qeveria e Kosovës i ka mbështetur plotësisht, duke e shtruar këtë çështje edhe në dialogun e Brukselit.

“Hapja e pikëkalimit te ‘Kapia e Sfricës’ do të lehtësojë maksimalisht lëvizjen e lirë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, dhe sidomos të atyre nga Medvegja, sepse do të shkurtohet udhëtimi për rreth 100 km. Me fjalë të tjera, përmes këtij pikëkalimi tani njerëzit do të mund të vijnë në Kosovë duke bërë vetëm 28 kilometra rrugë. Më tutje, gjatë stinës së verës dhe periudhës së festave, ky pikëkalim i ri kufitar do t’u mundësojë diasporës sonë edhe një qasje më shumë për në Kosovë”, theksoi ministrja Tahiri.

Po ashtu u arrit pajtimi për vendosjen edhe të autoriteteve doganore në pikëkalimin kufitar Mutivodë, sipas kërkesës së banorëve shqiptarë të Komunës së Medvegjës.

Top Channel