Deklaratat e Athinës për Idrizin, Bushati: Nuk mund të komentohet vendimi i Parlamentit shqiptar

22/05/2015 00:00

Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati i përgjigjet Athinës në të njëjtin ditë që kjo e fundit reagoi për zgjedhjen si nënkryetar i Parlamenti të Shpëtim Idrizit.

Marrëdhëniet mes dy shteteve, deklaroi shefi i diplomacisë shqiptare, nuk varen nga vendimmarrjet politike të brendshme të një partie apo një koalicioni qeverisës.

“Besoj se si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri, shoqëria funksionon mbi bazën e parimit të ndarjes së pushteteve dhe është e vështirë për një përfaqësues të ekzekutivit të komentojë vendimet e sovranit e jo më të imagjinohet të komentojë vendimet e një parlamenti të një vendi tjetër. Në këtë rast është një partner strategjik, të paktën siç e kemi konsideruar ne Greqinë dhe Greqia ne”, tha Bushati.

Deklaratat e kreut të diplomacisë shqiptare u bënë në përmbyllje të punimeve të SEECP-së në interesim të medies shqiptare.

Veto për Maqedoninë?
Bushati: Deklaratat e Ramës, në përputhje me angazhimet për anëtarësim

Jashtë këtij interesimi nuk mbeti as deklarata e pak ditëve më parë e Kryeministrit Rama që mediet e komentuan si vendosje të vetos së Shqipërisë për Maqedoninë në NATO.

Ditmir Bushati sqaroi se deklarata e Kryeministrit nuk ishte as më shumë e as më pak, por theksimi i angazhimeve që burojnë nga procesi i anëtarësimit si dhe konkluzioneve të samitit të Uellsit, që në të dyja rastet përfshijnë çdo pikë dhe çdo gërmë të marrëveshjes së Ohrit.

“Ne jemi një fqinj që i duam të mirën edhe për një arsye që dihen edhe për faktin që shqiptarët në Maqedoni janë faktor shtetformues dhe në këtë drejtim jemi më shumë të interesuar se kushdo tjetër për një busull euroatlantik të Maqedonisë sepse jemi të interesuar për kompasin euroatlantik të të gjithë rajonit”, u shpreh Bushati.

Top Channel