Në kërkim të liberalizimit të vizave, një e tillë i refuzohet zv.ministrit të Integrimit

22/05/2015 00:00

Në kohën kur qeveria e Kosovës po bën përpjekjet maksimale për të siguruar liberalizimin e vizave, është zëvendësministri i Integrimeve Europiane, Ramadan Ilazi, i cili nuk ka mundur të pajiset me vizë udhëtimi në zyrën belge në Prishtinë.

Lajmi është bërë i njohur fillimisht nga burime institucionale, për t’u sqaruar më pas nga vetë zv.ministri i Integrimit Europian, Ramadan Ilazi. Ai, në një bisedë telefonike, tha se ka aplikuar për vizë në zyrën belge, me qëllim udhëtimin zyrtar drejt Brukselit, por e ka tërhequr kërkesën në të njëjtën ditë, për shkak se Ambasada ka kërkuar dokumente shtesë, në këtë rast ftesën nga institucioni, ku do të zhvillohej vizita.

Ilazi shtoi se, këtë e ka bërë në shenjë proteste ndaj sjelljes së zyrës belge, e cila në këtë rast nuk e ka marrë parasysh notën verbale të Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Ambasadat e huaja, zakonisht nuk preferojnë t’i komentojnë vendimet për vizat, duke u bazuar në ligjet e shteteve nga vijnë. Por, në një përgjigje përmes postës elektronike, zyra belge ka siguruar se aplikimet e zyrtarëve ose të përfaqësuesve të shtetit trajtohen me kujdes, bazuar në rëndësinë e aplikimit.

Qeveria  e Kosovës, në veçanti Ministria e Jashtme dhe ajo e Integrimit, kanë vendosur ta kalojnë me qetësi këtë çështje. Por, pjesëtarë të shoqërisë civile kujtojnë se Brukseli është selia e Bashkimit Europian dhe fakti, që zyrtarët më të lartë kanë probleme me vizat, tregon për fuqinë e shtetit të Kosovës.

“Nuk e ka luksin asnjë shtet i BE-së që t’ua bëjë të pamundur zyrtarëve të qeverisë sonë vizitat në selinë e BE-së. Ne e dimë se komunikimi me Brukselin bëhet në baza ditore, që është mëse i nevojshëm, dhe se ky komunikim bëhet përmes Ministrisë së Integrimeve. Të mendosh, që Ministria e Integrimeve të mos jetë në gjendje të raportojë në procesin e liberalizimit, duke mos ui dhënë viza, jo që është e pakuptimtë, por në një shtet normal kjo do të adresohej edhe përmes qarqeve më të larta diplomatike”, tha Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Qytetarët e Ksovës janë të vetmit në Europë, që nuk mund të udhëtojnë pa viza dhe, aktualisht, qeveria e Kosovës po bën përgatitjet e fundit për adresimin e kritereve për liberalizimin e tyre. Por, sipas shoqërisë civile, mbetet ende punë për t’u bërë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Ne nuk po e dëshmojmë, që jemi në gjendje të luftojmë korrupsionin politik”, tha Fisnik Korenica.

Javën e ardhshme, Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë pakon ligjore për liberalizimin e vizave, për të përmbyllur kështu standardet dhe listën e kritereve të plotësuara, që do t’i dorëzohet në formë raporti Komisionit Europian në fillim të qershorit.

Top Channel