Çako pret shefin e policisë federale gjermane: Të angazhuar për të ndalur azilkërkuesit

22/05/2015 00:00

Policia shqiptare është e angazhuar maksimalisht për të frenuar fenomenin e azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian. Megjithatë, sërish numri i të larguarve është i madh dhe një pjesë e mirë e tyre kanë zgjedhur Gjermaninë.

“Falë angazhimit të strukturave të luftës kundër trafiqeve të paligjshme kemi arritur të vëmë nën kontroll disa agjensi turistike udhëtimi, që organizonin me anë të mashtrimit udhëtime drejt Gjermanisë. Fluksi është frenuar duke shkuar drejt normalitetit”, ka nënvizuar kreu i Policisë së shtetit, Haki Çako, gjatë takimit me Presidentin e Policisë Federale gjermane, Dieter Romann.

Gjithashtu, Çako ka siguruar gatishmërinë e policisë shqiptare për të bashkëpunuar me policinë gjermane dhe me FRONTEX.

Nga ana e tij, z. Romann theksoi se autoritetet shqiptare prej shumë kohësh kanë marrrë nismat e duhura dhe Policia Kufitare po bën punën e duhur.

Ai shtoi se policia gjermane vlerëson punën e palës shqiptare për parandalimin dhe frenimin e fenomenit të azilkërkuesit dhe njoftoi tri masa të marra nga qeveria gjermane për të frenuar dukurinë. E para, është shkurtimi i procedurave dhe afateve të azilit; e dyta, rikthim nga Gjermania në vendet e tyre; dhe e treta; bashkëpunim me shërbimet të përbashkëta me vendet e origjinës.

Top Channel