Matura Shtetërore, MAS: Ja datat e provimeve

22/05/2015 00:00

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përmes zv.ministres Nora Malaj, bëri të ditura këtë të premte masat e marra për provimet e Maturës Shtetërore dhe të gjuhës së huaj për më shumë se 46 mijë maturantë, si dhe datat këtyre provimeve.

Znj. Malaj tha se ashtu si në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore 2015, edhe për provimin e gjuhës së huaj janë marrë masat e nevojshme infrastrukturore, logjistike dhe mbështetëse, “me qëllim garantimin e një procesi tërësisht normal dhe në përputhje me Rregulloren e Maturës Shtetërore”.

Numri dy i MAS siguroi se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të garantojnë sigurinë dhe normalitetin në të gjitha qendrat e provimeve në vend, ndërsa Posta Shqiptare do të garantojë transportimin e materialeve të provimit në të gjitha drejtoritë dhe zyrat arsimore në vend.

Ndërkaq datat e provime të Maturës Shtetërore janë:

-Më 23 maj, provimi i gjuhës së huaj;

-Më 29 maj, provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë;

-Më 9 qershor, provimi i matematikës;

-Më 19 qershor, provimet me zgjedhje.

Të gjithë provimet do të fillojnë në orën 10:00 dhe do të zgjasin 2 orë e 30 minuta.

MAS ripërsëriti se, testi për secilin provim të detyruar përmban 25 pyetje, 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim. Maksimalisht janë 50 pikë. Maturanti nuk do të konsiderohet kalues nëse merr me pak se 20% të pikëve.

Top Channel