Prishtinë, përfshihet nga flakët një lokal pranë stadiumit. Dyshohet i qëllimshëm

22/05/2015 00:00

Pasditen e së premtes, një zjarr ka rënë në stadiumin e Prishtinës, përkatësisht në njërin prej lokaleve në anën lindore të tij.

Muharrem Beka, inspektor për zjarret në Komunën e Prishtinës, i cili ka inspektuar rastin në fjalë, tha për Top Channel se, dyshohet që zjarrvënia të jetë e qëllimshme, pasi – sipas tij, – në vendin e ngjarjes janë gjetur dy vatra zjarri.

Në njërën anë të lokalit është gjetur një enë e mbushur me letra, e gatshme për zjarr, dhe në anën tjetër gjurmë, prej të cilave dyshohet se ka shpërthyer zjarri.

Lokali në fjalë është shfrytëzuar për hoteleri, por prej kohësh ishte jashtë funksionit. Mësohet se dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë zjarrfikësit e Prishtinës, njësite të Policisë së Kosovës dhe ekipe të KEDS-it, të cilët kanë ndërprerë energjinë elektrike, gjatë kohës kur është punuar për lokalizimin e zjarrit.

Top Channel