Kriza greke, partnerët i tregojnë sërish tryezën e negociatave Tsiprasit

22/05/2015 00:00

Kanë qenë të shumtë ata, që kanë interpretuar lëvizjen e kreut të BE-së, Jean-Claude Juncker, për t’i vendosur kravatën e tij kryeministrit grek, si një shenjë se Athina dhe kreditorët e saj janë pranë marrëveshjes, nisur nga një pohim i kryeministrit Tsipras ndaj homologut italian Renzi, disa muaj më parë në Romë, se do të mbante kravatë vetëm kur të arrihej marrëveshja për borxhin kolosal të Greqisë.

Duke dalë nga punimet e samitit të BE-së në Riga të Letonisë, Aleksis Tsipras, i cili ka pasur takime me Kancelaren Merkel dhe Presidentin Hollande, është shprehur optimist për një përfundim të shpejtë të negociatave, që vazhdojnë prej mëse 4 muajsh.

“Dua t’iu informoj se, diskutimi – me Kancelaren Merkel dhe Presidentin Hollande – ka qenë tepër konstruktiv dhe në një atmosferë pozitive dhe miqësore. Jam optimist se mund të arrijmë shumë shpejt në një zgjidhje jetësore, të qëndrueshme dhe afatgjatë, pa gabimet e së kaluarës dhe se Greqia do të rikthehet gradualisht te zhvillimi ekonomik”, tha Aleksis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Por, me gjithë fjalët e mira, të thëna pas takimit me Juncker, i cili edhe njëherë ka theksuar se Greqia duhet të mbetet në Eurozonë, Kancelarja gjermane Merkel është shprehur se Greqisë i mbetet ende shumë rrugë deri tek arritja e një marrëveshjeje.

“Ishte një takim shumë miqësor dhe konstruktiv, por është gjithashtu e qartë, se Greqia ka shumë punë për të bërë me të 3 institucionet. Ka ende shumë punë për të bërë”, tha Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë

Sipas medieve greke, që komentuan pothuajse të gjitha faktin, që Tsipras shkoi në Riga me një avion ushtarak, pasi qeveria nuk ka parà për pjesët e këmbimit të 3 avionëve presidencialë, Athina nuk mori në këtë samit atë që kërkoi prej partnerëve. Përkundrazi, ata i treguan përsëri asaj tryezën e negociatave me përfaqësuesit e BE-së, BQE-së dhe FMN-së.

Qytetarët, që ndjekin me ankth zhvillimet si jashtë Greqisë, ashtu edhe brenda saj, shprehen të shqetësuar se huadhënësit sërish nuk bënë asnjë lëshim ndaj Greqisë, pavarësisht asfiksisë financiare, që po rrit pasigurinë dhe po shkakton pasoja tepër negative për ekonominë.

Mënyra e vetme, – thonë analistët, – për të zgjidhur ngërçin mes Athinës dhe huadhënësve është në dorën e kryeministrit Tsipras, që të bëjë lëshime, duke marrë mbrapsh disa prej premtimeve më të bujshme elektorale të tij.

Top Channel