2.5 milionë euro për 6 projekte të financuara nga marrëveshja e borxhit me Italinë

22/05/2015 00:00

Ministria e Financave miratoi gjashtë projekte me një vlerë financimi totale prej 2.5 milionë euro, pjesë e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për konvertimin e borxhit për zhvillimin, një nismë që synon mbështetjen e zhvillimit social në vendin tonë.

Bëhet fjalë për zhvillimin e një projekti pilot për zhvillimin turistik në zonën e Vlorës, nëpërmjet krijimit të qendrave të informacionit turistik dhe infrastrukturës sinjalistike turistike. Projekti i dytë ka si qëllim konvertimin e bunkerit të nëndheshëm pranë Ministrisë së Brendshme, në një qendër artistike të vizitueshme.

Projekti i tretë ka si qëllim krijimin e standardeve për urgjencat në pikat turistike detare dhe pajisjen e ambienteve me aparatura mjekësore të përshtatshme. Projekti i katërt synon krijimin e 5 shkollave pilot në konceptin e shkollës si “Qendër Komunitare”. Projekti i pestë bën fjalë për krijimin e një inkubatori për startup-et teknologjike dhe financimin e disa ideve për t’u shndërruar në biznese inovative. Dhe në fund, do të financohet edhe një projekt për fuqizimin e formimit profesional në sektorin e mekatronikës në Shkodër.

Në cermoninë e miratimit të këtyre projekteve, merrte pjesë Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, Ambasadori italian në Shqipëri, Gaiani si dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar.

Në fjalën e tij, në fillim të ceremonisë, ministri i Financave, Cani tha se, “programi italo-shqiptar i konvertimit të borxhit është një nga shembujt më konkret sesi vullneti i mirë i dy qeverive mund të sjellë ndryshime reale”.

Ai e vlerësoi si “një nga programet me efikasitet më të lartë”, këtë program, duke shtuar se “ndryshe nga herët e tjera dhe, kryesisht për shkak të reformës territoriale, këtë herë thirrja ishte e hapur vetëm për ministritë dhe agjencitë qeveritare” dhe se “projektet e financuara i përgjigjen nevojave konkrete të target grupeve të caktuara dhe janë në linjë me strategjitë zhvillimore të qeverisë shqiptare”.

Ambasadori Gaiani theksoi rëndësinë e këtij programi, që deri tani ka shpallur rreth 24 projekte fituese me një vlerë 11.5 milionë euro.

“Ne jemi shumë të kënaqur për të njoftuar sot se ne kemi filluar kohët e fundit negociatat për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re midis dy qeverive tona për të siguruar kthimin e borxhit të një shtesë 20 milionë eurosh që do të jetë gjithmonë të destinuara për sektorin social. Është rënë dakord tashmë në protokollin bilateral të bashkëpunimit, të nënshkruar dhjetorin e kaluar këtu në Tiranë. Si një mjet i mbështetjes dypalëshe të zhvillimit, konvertimi i borxhit është një konfirmim i ri i angazhimit të dy italian për Shqipërinë, si lidhjet miqësore ndërmjet dy vendeve tona”, u shpreh ambasadori Gaiani.

Top Channel