Tensionet me Rusinë, Finlanda vë në alarm rezervistët

22/05/2015 00:00

Qeveria në Finlandë ka informuar 900 mijë rezervistët e saj ushtarakë mbi rolet e tyre në rast të një krize ushtarake për shkak të tensioneve në rritje mes Rusisë dhe fqinjëve të saj.

“Fushata e informimit e ndërmarrë nga Ministria e Mbrojtjes bëhet për të ruajtur kontaktet me rezervistët, të cilëve u kërkohet të përditësojnë detajet e tyre personale në shërbim të ushtrisë”, thuhet në një komunikatë.

Të gjithë rezervistëve u është dërguar nga një letër si pasojë e reformës së nisur në vitin 2008, që parashikon vënien e tyre në dijeni në rast të hyrjes në një konflikt të armatosur. Në këtë rast shkak duket se është bërë rritja e tensioneve mes Rusisë dhe fqinjit të saj.

Prej më shumë se një viti, Rusia ka rritur influencën e saj në arenën globale, sidomos pas aneksimit të Krimesë dhe rolit të saj në konfliktin e armatosur në Ukrainë.

Gjithashtu, vendi ka kryer gjatë vitit të fundit një seri stërvitjesh ushtarake në Detin Baltik dhe në brigjet e Finlandës, si dhe në vende të tjera të Evropës veriore. Finlanda ka një kufi tokësor me Rusinë, por vendi nuk është anëtar i NATO-s, gjë që e bën edhe më të cënueshëm nga agresioni rus.

Të ndërgjegjshme për rrezikun potencial, ministrat e Mbrojtjes të vendeve nordike, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Danimarka dhe Islanda paralajmëruan në prill të këtij viti se Evropa Veriore duhet të përgatitet për kriza apo incidente të mundshme për shkak të Rusisë.

“Liderët rusë kanë treguar se janë të përgatitur të kryejnë veprime ushtarake praktike dhe efikase për të arritur qëllimet e tyre, edhe nëse shkelin parimet e ligjit ndërkombëtar”, thuhej në një komunikatë të përbashkët të 5 vendeve nordike.

Top Channel