Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi vlerëson se rruga e vetme për zgjidhjen e krizës së thellë politike në Maqedoni është arritja e një marrëveshjeje të qëndrueshme mes 4 partive politike me ndërmjetësim ndërkombëtar, që do të përshpejtonte zgjidhjen e problemeve të brendshme, si dhe integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

ryetari i PDSH-së opozitare këto komente i bëri gjatë takimit që zhvilloi në selinë partiake në Tetovë me një delegacion të Kombeve të Bashkuara, të kryesuar nga ndihmës sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për të drejtat e njeriut, Ivan Shimonovic.

Thaçi e ka njoftuar delegacionin e OKB-së me qëndrimet e PDSH-së rreth gjendjes së përgjithshme në vend, si dhe për mundësitë e daljes nga kjo situatë.

Ai tha se duhet të bëhet gjithçka për të gjetur zgjidhje për krizën aktuale dhe për të mos lejuar përshkallëzimin e saj. Sipas Thaçit, rruga e vetme e Maqedonisë duhet të mbetet integrimi në NATO dhe BE, si e vetmja mundësi që garanton paqe dhe stabilitet në rajon.

Lidhur me marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, kreu i PDSH-së tha se bashkëjetesa dhe barazia ndëretnike janë themel i një shoqërie demokratike.

Top Channel