Veliaj shpalos programin: Zgjidhim 3 mijë probleme; 12 projekte për 4 vite

22/05/2015 00:00

Nga “Qyteti Student”, kandidati i mazhorancës Erion Veliaj ka prezantuar 12 projektet kryesore te programit te tij për 4 vitet e ardhshme, nëse zgjidhet në krye të Bashkisë së Tiranës.

Mes tyre renditen kampuse të reja universitare, unazat e Tiranës, Parku i Integruar i Liqenit’ dhe ‘Parku Olimpik, ‘Parku i Besimit’ dhe ai që cilësohet si një ndër më të rëndësishmit, bulevardi i ri i Tiranës.

“Bulevardi i ri i Tiranës është një hapësira fantastike. Shumë pyesin se cili projekt do të kalojë? Por sigurisht që nuk do të kalojë projekti që ka beton; sigurisht që nuk do të kalojë një projekt që degjenerojë idenë e parkut “T”. Pra idenë e një parku ku simetria që betonin që ka sot Tirana në anën tjetër përputhet me parqet dhe me një hapësirë në mes të Tiranës, që do të kthehet në një ‘mushkëri’ fantastike. Një park qendror që për të gjithë ata që në zonën më problematike të Tiranës, ku tani po ndodhin legalizimet, tani po ndodh urbanizimi, do të kemi një nga parqet më të bukura të Ballkanit, ai që do të quhet parku i bulevardit “T”. Ky park do të krijohet duke zgjatur bulevardin me gjelbërim dhe do të lidhet me Lumin e Lanës, ku pjesa e “T” është edhe më e bukura me rehabilitimin e Lanës”, tha Veliaj.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj ka identifikuar 3 mijë probleme për qytetarët e Tiranës, probleme që premtoi t’u japë zgjidhje në 300 ditët e para të qeverisjes së kryeqytetit, në rast fitoreje më 21 Qershor. Ai tha se 300 ditët e para do të ndërhyjë për problemet dhe shqetësimet më të ndjeshme për qytetarët, duke hequr një paralele me ndërhyrjen që bëri Qeveria e majtë në shkallë vendi, pas ardhjes në pushtet në 2013-ën.

“Kemi plot 3 mijë probleme që kanë të bëjnë me 300 ditët e para të qeverisjes vendore, ashtu si 300 ditët e para të Qeverisë, për t’u siguruar që ndërhyrja jonë është një ndërhyrje kirurgjikale”- tha Veliaj.

Ndërsa kryeministri Rama, në fjalën e tij, vuri në dukje se reformat e nisura nga qeveria e tij kanë filluar të japin efektet e tyre, provë për të cilën është sipas tij edhe paketa prej 1.2 miliard dollarë nga Banka Botërore.

“Banka Botërore vlerësoi vendosmërinë e qeverisë për t’u ndarë nga e shkuara. Këto 18 muaj ishin shumë pak për të zgjidhur problemet e shumta të Shqipërisë. Por këto 18 muaj ishin të mjaftueshëm për të treguar se e ardhmja do të jetë më e mirë”, deklaroi Rama, i cili specifikoi disa prej reformave që kanë dhënë sipas tij më shumë rezultat.

“Qeveria vendosi të ndërmarrë një reformë radikale për çështjen e energjisë. Në një vit borxhi i energjisë kishte shkuar në 1 miliard dollarë. Energjia trajtohej si mall pa të zot. Ndërsa sot kemi mbi 300 mijë konsumatorë që kanë nënshkruar aktmarrëveshje. Në arsim mbyllëm të gjitha universitetet që fabrikonin diploma dhe hoqëm një numër tekstesh shkollore absurde. Sot ilaçet janë 30 për qind më të lira, ndërkohë që shtuam 85 barna në listën e rimbursimit. Gjithashtu, sot në spitalet tona ka filluar të hyjë edhe tele-mjekësia”, tha Rama.

Ai u shpreh më tej se sot, është mëse e qartë se, nuk ka ministër që nuk e ka luftën kundër korrupsionit prioritet. “Ende nuk e kemi zgjidhur problemin e papunësisë, por jemi në rrugën e duhur”, shtoi më tej Rama.

Top Channel