DASH publikon “e-mail”-et e para të ish-Sekretares Clinton për sulmet në Bengazi

22/05/2015 00:00

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar këtë të premte afro 900 faqe nga “e-mail”-et në lidhje me sulmin kamikaz në Bengazi dhe Libinë në tërësi, nga llogaria private e ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Rodham Clinton, të cilat janë këmbyer gjatë periudhës që ajo ushtroi detyrën e kryediplomates së SHBA-ve.

Mesazhet i janë dhënë edhe një komiteti të përzgjedhur nga Dhoma e Përfaqësuesve, të cilët janë marrë me hetimin e sulmeve të 11-12 shtatorit të vitit 2012, të ndërmarra ndaj konsullatës amerikane në Bengazi, gjatë të cilave ambasadori amerikan në Libi, J. Christopher Stevens, dhe 3 amerikanë të tjerë mbetën të vdekur.

Disa prej këtyre korrespondencave merren drejtpërdrejt me ngjarjet përpara sulmeve apo me pasojat e tyre, sipas atyre që i kanë parë. Shumë të tjera përmbajnë detaje administrative, llogari të shtypit, projekte për fjalime të ndryshme dhe informacione të tjera të këmbyera mes Clintonit dhe ndihmësve të saj kryesorë.

Por, mesazhet, disa prej të cilave janë publikuar gjatë kësaj jave edhe nga “New York Times”, nxjerrin hapur shqetësimet e Clintonit dhe zyrtarëve të tjerë në lidhje me kaosin politik, ku ishte përfshirë Libia gjatë dhe pas sulmeve ajrore të NATO-s në vitin 2011, të cilat ndihmuan në rrëzimin dhe vrasjen e diktatorit libian, Moammar Gaddafi, gjatë fundit të atij viti.

Në deklaratën që shpallte publikimin e tyre, zëvendës-zëdhënësja e DASH, Marie Harf, tha se “emailet që po publikojmë sot nuk i ndryshojnë faktet thelbësore, apo kuptimin nga ana jonë e ngjarjeve përpara, gjatë dhe pas sulmeve, të cilat janë bërë të ditura që pas raportit të pavarur të Bordit Përgjegjës për Rishikimin e ngjarjeve në lidhje me sulmet e Bengazit, që u publikua rreth 2 vite e gjysmë më parë”.

Top Channel