Tensionet ajrore, SHBA paralajmërojnë Kinën

22/05/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Kinën që të mos reagojë ndaj patrullimeve ajrore të aviacionit amerikan në Detin e Kinës së Jugut, pak ditë pas një përplasjeje verbale mes një operatori ushtarak kinez dhe një avioni mbikëqyrës amerikan.

“Los Angeles Times” raporton se Marina publikoi dy video dhe një material audio të konfrontimit, që ndodhi të mërkurën kur operatori kinez kërkoi 8 herë që avioni të braktiste hapësirën ajrore teksa fluturonte mbi zinxhirin e ishujve ku qeveria kineze ka reklamuar interesin e saj.

Incidenti ishte shembulli i fundit i fërkimeve mes Uashingtonit dhe Pekinit, me Kinën që kërkon të zgjerojë influencën e saj në Detin e Jugut dhe me Shtetet e Bashkuara që përpiqen të kthejnë mbrapsht një përpjekje të tillë, për të treguar se sipërfaqja e madhe territoriale nuk i jep asaj të drejtën t’i zgjerojë kufijtë.

Daniel Russel, diplomat i Shteteve të Bashkuara për Azinë Lindore, deklaroi se fluturimi i avionit amerikan në hapësirën ajrore ndërkombëtare ishte sipas rregullave dhe ligjeve ndërkombëtare. Ai tha se Amerika do të kërkojë të ruajë mundësinë që jo vetëm Shtetet e Bashkuara të shfrytëzojnë të drejtën e lirisë së lundrimit apo fluturimit.

“Askush nga ata nuk mund ta ndalojë Marinën Amerikane të kryejë fluturime mbikëqyrëse, kjo do të ishte diçka negative. Avionët tanë nuk mund të ndalen edhe nëse aty është dikush që kërkon t’i pengojë apo t’i sfidojë”, tha diplomati duke iu referuar ushtrisë kineze.

“Ne besojmë se çdo vend dhe të gjithë aktorët civilë duhet të kenë të drejtën e pamohueshme për të pasur akses në hapësirat ajrore dhe detare ndërkombëtare”, shtoi Russel.

Top Channel