OKB: Hetim transparent për “Kumanovën” dhe “përgjimet”

22/05/2015 00:00

Ndihmës sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ivan Shimonovic kërkoi në Shkup hetim transparent dhe të besueshëm për rastin e Kumanovës dhe skandalin e përgjimeve. Ai tha se në këtë proces duhet të përfshihet edhe faktori ndërkombëtar.

“Kam biseduar me prokurorin e përgjithshëm për rastin e Kumanovës dhe ai më tha se hetimet për këtë rast kanë filluar. Por mendoj se për këtë do të jetë e nevojshme që të ketë një ndihmë ndërkombëtare. Ky hetim ka dimensionin e tij ligjor, por ka edhe dimension politik. Më rëndësi është që rezultatet e hetimit të jenë të besueshme për të gjithë”, deklaroi Shimonovic.

Kufizimi i demokracisë në Maqedoni shihet me shqetësim në Kombet e Bashkuara.  Shimanovic u shpreh i brengosur për kufizimin e lirisë së shprehjes, presionet ndaj qytetarëve, si dhe politizimin e gjyqësorit. Ai tha se kriza politike dhe ngjarjet në Kumanovë dëshmojnë se në Maqedoni shkelen të drejtat e njeriut.

“Vizita ime këtu në Shkup u nxit nga kriza politike që filloi me publikimin e skandalit të përgjimeve, që paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Përmbajtja e përgjimeve ilegale dëshmon se këtu mund të jenë shkelur shumë të drejta të qytetarëve”, theksoi Shimonovic.

Shimonovic përshëndeti bisedimet mes opozitës dhe pushtetit për zgjidhjen e krizës, por tha se në këto negociata duhet të përfshihet sektori civil.

Për situatën në Maqedoni, Shimanovic do të informojë sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, pasi Maqedonia do të jetë një nga temat gjatë vizitës së këtij të fundit në Bruksel javën e ardhshme.

Top Channel