Deklaratat e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se vendet e Perëndimit qëndrojnë pas ngjarjeve të Kumanovës, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë absurde.

Në një deklaratë, që bëri Ambasada e SHBA-ve në Shkup pas këtyre akuzave, thuhet se Uashingtoni dëshiron paqe dhe qëndrueshmëri në Maqedoni, si pjesë e qëllimeve amerikane për një Evropë të bashkuar në liri dhe në paqe.

“Shumica e qytetarëve të Maqedonisë dhe udhëheqësit e tyre dëshirojnë që t’i bashkëngjiten BE-së dhe NATO-s, duke ditur se kjo është rruga më e mirë drejt sigurisë dhe prosperitetit të vendit. Ne e ndajmë plotësisht këtë qëllim”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve në Shkup.

Kryediplomati rus, ditë më parë ka thënë se situatat në Maqedoni provokohen nga Perëndimi, për të ndikuar mbi qeverinë e kryeministrit Nikolla Gruevski, për shkak se ai refuzoi t’i mbështesë sanksionet kundër Rusisë. Madje, Lavrov tha se po flitet, që Maqedonia duhet të ndahet mes Bullgarisë dhe Shqipërisë.

Por, Sofja zyrtare i ka quajtur të papërgjegjshme pohimet e shefit të diplomacisë ruse.

Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikolla Popovski, duke folur rreth këtyre deklaratave, ka thënë se përcaktimi i Maqedonisë është integrimi në Bashkimi Evropian dhe NATO.

Top Channel