Përfundon samiti i Rigës, republikat ish-sovjetike dënojnë aneksimin e Krimesë

22/05/2015 00:00

Duke hedhur sytë pas shpinës së tyre, drejt Rusisë, Bashkimi Europian dhe 6 vendet ish-sovjetike, fqinje të Moskës janë përpjekur të sheshojnë dallimet mes tyre për të ripërtërirë angazhimet e tyre për bashkëpunim në interes të paqes dhe sigurisë, në samitin e Rigës gjatë së premtes.

Takimi në kryeqytetin letonez, 18 muaj pas mbledhjes së fundit për Partneritetin Lindor, shkaktoi një betejë të stilit të Luftës së Ftohtë për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, ndërsa Kievi dhe aspirantët e tjerë për në BE siguruan ofertat për ndihmë dhe për to u rritën shpresat për udhëtim të lirë pa viza në BE, por shumë pak kohë iu mëshua premtimeve për anëtarësim në unionin europian.

Pavarësisht simpatisë nga disa udhëheqës të BE-së, sidomos nga ata lindorët, të cilët kërkuan angazhime më të forta për të afruar shtetet më properëndimore në bllokun europian, fuqitë e mëdha të BE-së janë treguar të kujdesshëm, qoftë sa i përket provokimit ndaj Presidentit rus, Vladimir Putin, ashtu dhe ndaj rëndimit të BE-së me anëtarë të rinj të varfër dhe të paqëndrueshëm politikisht.

“Marrëveshjet e stabilizim-asociimit nuk çojnë detyrimisht në anëtarësim, si një përfundim i pashmangshëm i angazhimeve tona”, tha Presidenti francez, Francois Hollande, duke iu referuar paktit tregtar të nënshkruar vitin e kaluar me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. “Ne nuk duhet ta kthejmë këtë Partneritet me Lindjen në një tjetër konflikt me Rusinë”, tha Hollande, i cili ka udhëhequr së bashku me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, ndërmjetësimin për paqe në Ukrainën lindore. Ai bëri thirrje gjithashtu për “më shumë presion” ndaj Moskës, për të mbajtur në fuqi armëpushimin, por gjithsesi tha se BE duhet të ulet në tryezë me Rusinë, pavarësisht konfliktit.

Udhëheqësit e BE-së kanë hedhur poshtë prej kohësh shqetësimet e Kremlinit se mbledhja e tyre dhe “përqafimi” i vendeve fqinje me Moskën, janë thjesht dhe vetëm një “sulm” kundër Rusisë. Megjithatë, të premten, zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, i akuzoi sërish ata, se po u prezantonin ish-republikave sovjetike një “zgjedhje të rreme”, të tipit “Me kë jeni, pro Perëndimit apo pro Rusisë?”.

Një akuzë që ka marrë sërish përgjigje, edhe nga Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk. “Më lejoni t’u përgjigjem  atyre, që pretendojnë se Partneriteti Lindor ka qëllime kundër Rusisë. Kjo nuk është e vërtetë. Partneriteti Lindor nuk është një konkurs bukurie mes Rusisë dhe BE-së. Por, më lejoni të jem i sinqertë, edhe bukuria ka vlerën e saj”.

Nga ana tjetër, Presidenti ukrainas Petro Poroshenko, paraardhësi i të cilit u rrëzua nga ukrainasit properëndimorë, pas protestave të tyre që lindën me refuzimin e një pakti me BE-në në Vilnius, në fund të vitit 2013, u vetëdeklarua i kënaqur me “solidaritetin tepër të fortë” që udhëheqësit europianë treguan për vendin e tij.

Sa i përket samitit, Ukraina, si partneri më i madh mes 6-shes nga Lindja, nënshkroi një marrëveshje ndihme prej 1,8 miliardë eurosh me BE-në, ndërsa ashtu si dhe Gjeorgjia mori garanci se shtetasit e tyre së shpejti do të mund të udhëtojnë pa pasur nevojë për viza drejt vendeve europiane, ashtu siç përfitojnë moldavët, por me kusht që të vazhdojnë reformat në vend.

Të 34 qeveritë nënshkruan një deklaratë të përbashkët prej 13 faqesh, mbi pozicionet dhe aspiratat e përbashkëta, përfshi këtu dënimin e “aneksimit ilegal të Krimesë” nga Rusia vitin e kaluar.

Top Channel