Minxhozi: Ftohja me Athinën nisi që me vendimin e Gjykatës Kushtetuese

22/05/2015 00:00

Për aktualitetin e ditës dhe zhvillimet më të fundit, si çdo të premte në studiot e edicionit qendror informativ të Top Channel ishte i ftuar analisti Skënder Minxhozi.

Ilir Paço: Zgjedhja e Idrizit nënkryetar i Kuvendit dhe dorëheqja e Dules, jo vetëm që duket se zyrtarizon largimin e PBDNJ-së nga koalicioni qeverisës, por ka sjellë edhe një reagim të ashpër të Athinës zyrtare. Në këtë klimë nuk është konfirmuar as ardhja e kryeministrit Tsipras në Tiranë javën e ardhshme në kuadër të samitit të kryeministrave të rajonit. Jemi në një ftohje raportesh Tiranë-Athinë?

Skënder Minxhozi: Ftohja ka nisur prej vitesh, mund të merret si një datë fillestare vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi marrëveshjen detare, e cila po i shkakton kaq telashe Athinës për të kërkuar për naftë në detin Jon, mu përballë tokës shqiptare. Nga afrimi me partiën e çamëve i Aleancës, reagimi i Athinës ishte i pritshëm, sepse u mblodhën shumë faktorë. Janë disa elementë që acarojnë, madje edhe vizita e Erdogan dhe mesazhet që ai dha në Tiranë. Ishte fundi i një rruge, që natyrshëm do të sillte një reagim nga ana e Greqisë.

Ilir Paço: Kryeministri i Serbisë, Vuçiç ka konfirmuar vizitën për javën e ardhshme në Shqipëri. Deri tani është mësuar se do të kemi një protokoll “reciprociteti”, si në vizitën e Ramës në Beograd. Çfarë pritet të sjellë në raportet mes dy vendeve kur Kosova dihet që është në mes?

Skënder Minxhozi: Pritshmëritë janë dy, e para që të flasë për “terrorizmin shqiptar në Maqedoni” dhe një variant tjetër, ai që Vuçiç do të vijë dhe do të largohet pa shkaktuar atë debat që shkaktoi deklarata e Ramës në Beograd. Kjo nuk do të thotë që problemet mes dy vendeve mbyllen. Problemi i parë quhet Kosovë, ku pala serbe ndjek një qëndrim të mbyllur, të shkuar, demode. Është një vizitë që përbën një premisë çtensionimi pas problemeve që ka lënë vizita e Ramës dhe droni në ndeshjen me Serbinë.

Ilir Paço: Fushata ka nisur zyrtarisht dhe partitë, por edhe kandidatët, kanë hyrë në një tjetër fazë me shpalosjen e programeve dhe premtimeve për qytetarët… 

Skënder Minxhozi: Nuk ka ngelur shumë nga programet për t’u shpalosur, sepse prej javësh dy krerët kryesorë kanë nisur takimet me qytetarët. Për programet, kemi dy qasje, opozitën që bën një fushatë politike më shumë, dhe qasja e pushteteve vendore që mësë shumti drejtohen nga e majta për të bërë bilancet e tyre, për të nisur atë vallen e përurimeve. Një element që i mungon fushatës është Sali Berisha, sepse ka qenë personi që i ka dhënë shkarkesën më të madhe elektrike çdo fushate në 24 vite. Mungesa e tij ndjehet. Fushata e Tiranës ka shkuar deri më tani në shinat e normalitetit. Unë nuk mendoj që do të jetë deri në fund kështu, por nuk do të jetë me temperatura aq shumë sa fushatat e shkuara.

Top Channel