Bagdad, autoritetet bllokojnë fluksin e refugjatëve nga Ramadi

23/05/2015 00:00

Autoritetet në Bagdad kanë mbyllur një urë, për të ndaluar fluksin e refugjatëve që largohen nga Ramadi në përpjekje për t’u strehuar në kryeqytetin iraken.

Mbi 40 mijë persona kanë lënë Ramadin që nga marrja nën kontroll e tij nga militantët e Shtetit Islamik më herët gjatë javës.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, një nga motivet pse autoritetet në Bagdad vendosën mbylljen e urës Bzebis është frika e tyre se mes refugjatëve mund të jenë infiltruar militantë, që tentojnë depërtimin në kryeqytet.

Ura e Bzebizit shihet si një kalim i sigurt për në Bagdad nga provinca e Anbarit. Militantët e ISIS po bëjnë presion nga zonat londore të Ramadit, për të avancuar nga Lugina e Eufratit drejt Habanijës, ku trupat qeveritare po mblidhen për të realizuar një kundërsulm.

Nëse arrijnë të marrin Habanijën, rebelët do të jenë pranë me Falluxhën, një tjetër qytet pranë Bagdadit, që ka qenë nën kontrollin e grupit militant sunit për më shumë se një vit, pavarësisht sulmeve të trupave qeveritare.

Ditën e premte, zv.kryeministri iraken, Saleh al Mutlaq paralajmëroi se lufta kundër ISIS nuk ishte më një “çështje lokale” dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë.

Në avancimin e tyre të fundit, militantët e ISIS morën nën kontroll kufirin mes Sirisë dhe Irakut. Kjo u pasua me marrjen më pas të qytetit të lashtë sirian Palmira, ditën e enjte.

Top Channel