Irlanda voton masivisht në një referendum për martesat e homoseksualëve 

23/05/2015 00:00

Votimet u mbyllën në Irlandë për referendumin për legalizimin e martesave të të njëjtit seks. Më shumë se 3.2 milionë persona u pyetën nëse janë pro amendimit të Kushtetutës për të lejuar çiftet gay dhe lezbike të martohen.

Numërimi i votave nisi mëngjesin e të shtunës, ndërsa u raportua një pjesëmarrje “jashtëzakonisht e lartë” në votimin e të premtes. Televizioni shtetëror irlandez, RTE thotë se në disa zona pjesëmarrja në votim ishte shumë herë më e lartë se në referendumet e fundit.

Ata janë pyetur nëse pajtohen me deklaratën: “Martesa është një kontratë në përputhje me ligjin nga dy persona, pa dallim të gjinisë së tyre”.

Referendumi mbahet 22 vite, pasi homoseksualizmi u dekriminalizua në Irlandë. Nëse ndryshimi miratohet, Irlanda do të jetë vendi i parë që legalizon martesat e të njëjtit seks nëpërmjet votimit popullor.

Në vitin 2010, qeveria irlandeze miratoi legjislacionin e partneritetit civil, duke dhënë njohje ligjore për çiftet e homoseksualëve.

Top Channel