SHBA, Senati bllokon projektligjin për ndalimin e përgjimeve

23/05/2015 00:00

Senati amerikan ka bllokuar projektligjin që do t’i jepte fund mbledhjes së të dhënave telefonike të amerikanëve nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, NSA.

Nga ana tjetër, nuk u arrit as të autorizohej zgjatja e përkohshme e legjislacionit aktual të njohur si “Akti Patriotik”, që u miratua pas sulmeve të 11 shtatorit e që skadon më 1 qershor.

Megjithatë, senatorët do të mblidhen sërish më 31 maj.

Më herët, gjatë vitit, një gjykatë apeli në Shtetet e Bashkuara e cilësoi  të paligjshme mbledhjen e të dhënave telefonike.

NSA ka mbledhur të dhëna për numrat e përdorur në rrjetet telefonike, kohën e realizimit të telefonatave, por jo përmbajtjen e bisedave.

Agjencia dyshohet gjithashtu se ka përgjuar firma të mëdha dhe liderë europianë, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel.

Shtëpia e Bardhë i ka bërë presion Senatit që të mbështesë projektin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, i njohur ndryshe si “Akti i Lirisë”, që do t’i jepte fund mbledhjes së të dhënave nga përgjimet telefonike të brendshme.

Të dhënat në fjalë, sipas projektligjit parashikohet të mbeten në serverët e kompanive telefonike. Votimi në Senat nuk arriti dot kuorumin e 60 votave, pasi rezultoi me 57 vota pro dhe 42 kundër.

Përgjimet masive të agjencisë dolën në dritë nga ish-kontraktori i saj, Edward Snowden, i cili pas publikimit të skandalit kërkoi azil politik në Rusi, ku jeton edhe kësaj dite.

Top Channel