Senatori Murphy: T’i vëmë fre Rusisë; Kritika të forta dhe Maqedonisë

23/05/2015 00:00

Christopher Murphy, senatori demokrat amerikan i cili disa muaj më parë ishte në një tur ballkanik ku përfshiu dhe Shqipërinë, paralajmëron se Amerika nuk duhet ta lërë në harresë rajonin.

Deklaratën e tij, ligjvënësi e bëri pasi siç thotë, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në Maqedoni. Sipas Zërit të Amerikës, Murphy i bëri thirrje autoriteteve të Shkupit të përmbushin detyrimet ndaj qytetarëve të tyre, ndërsa shtoi se Uashingtoni dhe në përgjithësi bashkësia ndërkombëtare duhet t’i përgjigjen me vendosmëri agresionit rus.

“Nëse nuk dërgojmë një mesazh të qartë në lidhje me veprimet në Ukrainë se Rusia do të paguajë një çmim të rëndë për agresionin e saj, kjo prirje nuk do të ndalë. Vladimir Putin e ka bërë shumë të qartë: ai mendon se tragjedia më e madhe që i ka ndodhur Rusisë gjatë 100 vjetëve të fundit ishte shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Ai deshiron të rikrijojë një version të ish-Bashkimit Sovjetik apo të perandorisë ruse. Sot Putin është përqëndruar tek Ukraina, por ai mund të vazhdojë edhe më tej, në vende si Moldavia, Gjeorgjia, apo edhe në Baltik dhe në Ballkan, nëse nuk paguan për ato që po bën sot”, tha Chris Murphy, senator demokrat.

Murphy i drejtoi një apel të drejtpërdrejtë autoriteteve të Shkupit të përmbushin detyrimet e një qeverie demokratike ndaj qytetarëve.

“Unë e kam ngritur me të madhe gjatë vitit të fundit shqetësimin për hapat prapa që kemi vërejtur në Maqedoni lidhur me respektimin e shtetit ligjor, të drejtat e njeriut, apo lirinë e shtypit. Incidentet e javëve të fundit janë shumë shqetësuese. Qeveria e Maqedonisë duhet të angazhohet plotësisht për të respektuar të drejtat e shtetasve të saj, për të riparuar dëmin që kanë shkaktuar të gjitha këto që kemi dëgjuar kohët e fundit për aktet e autoriteteve”, tha Murphy.
 
Senatori demokrat u përqëndrua në mënyrë të veçantë tek nevoja që Shtetet e Bashkuara t’i kushtojnë vëmendje më të madhe Ballkanit. Ai thotë se shumë nga tensionet që ushqyen konfliktet e dekadave të fundit në rajon, ende nuk janë shuar.

Top Channel