Veljanovksi: Të na integrojnë në NATO dhe BE; rreziku i destabilizimit është ende

23/05/2015 00:00

Autoritetet maqedonase vijojnë ta cilësojnë aksionin e policisë ndaj lagjes së shqiptarëve në Kumanovë, si reagimin ndaj një grupi terrorist.

Këtë e ka pohuar edhe në Tirane kryetari i Parlamentit maqedonas Trajko Veljanovski,  i cili ka mbërritur në kryeqytetin shqiptar në kuadër të takimeve të SEECP-së.

“Problematikat më të rëndësishme të rajonit janë paqja dhe stabiliteti. Fatkeqësisht ne në Maqedoni përballemi me këtë fakt në një mënyrë tragjike, por arritëm të parandalojmë përshkallëzimin e tensioneve. Aksioni i policisë i kryer me shumë profesionalizëm e neutralizoi grupin kriminal terrorist, të cilët donin të dëmtonin rëndë Republikën e Maqedonisë edhe të përbënin një kërcënim për të gjithë rajonin. Kjo ngjarje e pakëndshme nënvizon nevojën për një integrim më të shpejtë të rajonit në NATO dhe BE. Sërish dua të nënvizoj se situata e status-quosë në integrimin euroatlantik për ne dhe shtetet e rajonit krijon flustrim dhe na bën vunerabël ndaj tentativa për destabilizim”, tha Veljanovksi.

Këtë nënvizim Trajko Veljanovki e bën në Tiranë, pas deklaratave të kryeministrit Rama për nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së OHRIT si detyrim për anëtarësim në NATO.

Në hapje të këtij takimi, kryetari i Kuvendit Meta shmangu deklaratat konkrete për Kumanovën, por nënvizoi  nevojën e demokratizimit.

“Veçanërisht zhvillimet e fundit këtu në rajonin tonë që shpeshherë lidhen me sfidat e përbashkëta të sigurisë e të stabilitetit, na detyrojnë të jemi më vigjilentë ndaj fenomeneve negative të papunësisë dhe varfërisë, të cilat na kujtojnë nevojshmërinë e rritjes së cilësisë së proceseve demokratizuese dhe përqasjes zhvillimore për rajonin tonë”, tha Meta.

Top Channel