Juventusi feston titullin e 31-të, Napoli jashtë Champions-it

23/05/2015 00:00

Juventusi ngriti në qiell trofeun e katërt radhazi të titullit kampion të Italisë dhe të 31-in në historinë e bardhezinjëve, megjithëse për tifozët janë 33, duke llogaritur këtu dy titujt e hequr pas skandalit “Calciopoli”.

Një titull i supermerituar që vjen pas një sezoni ku askush në Itali nuk mundi t’i dhurojë rivalitet supremacisë së Juventusit, pasi Roma rezistoi vetëm në gjysmën e parë dhe ambiciet e verdhekuqëve ashtu si dhe ato të Napolit, viktimës më të fundit të bardhezinjve, nuk u përputhën kurrë me forcën reale për t’i rrëmbyer fronin Juves.

Kur duhet edhe një javë nga fundi, diferenca me ndjekësit më të afërt, Romën, është plot 19 pikë, tregues i një dominimi absolut të një skuadre që ka një uri të pashuar për trofe.

86 pikë në 36 javë, 70 gola të shënuar me sulmin më të mirë të kampionatit dhe me vetëm 22 gola të pësuar, mbrojtja më e mirë. Kjo Juve është e frikshme dhe për ta treguar këtë nuk fali as në ndeshjen kundër Napolit, duke fituar 3-1.

Me titullin e Kupës në dhe kampionatit në xhep, tashmë Juventusin e pret misioni i vështirë, por jo i pamundur për të realizuar tripletën, me një kundërshtar që në letër është superfavorit, Barcelonën e Lionel Messi & Co, me të cilën do të përballet në finalen e Ligës së Kampioneve më 6 qershor.

Top Channel