E pamundur për të luftuar trafikantët, qeveria “e panjohur” libiane kërkon ndihmën e BE

24/05/2015 00:00

Europa nuk do të mund të ndalë trafikun vdekjeprurës të emigrantëve afrikanë përmes Mesdheut, për sa kohë që nuk i jep fund bojkotit ndaj forcave politike, që kanë marrë pushtetin në kryeqytetin libian, si dhe nuk ndihmon autoritetet atje të bashkëpunojnë e të përballen me këtë situatë.

Reagimi i fundit ka ardhur nga qeveria “de facto” e Tripolit, në një kohë që vendi është përfshirë nga kaosi dhe një luftë e brendshme civile, që prej sulmeve ajrore të NATO-s gjatë vitit 2011, kur edhe u rrëzua nga pushteti e më pas u vra diktatori Muammar Gaddafi. Duke shfrytëzuar këtë paqëndrueshmëri politike, trafikantët e qenieve njerëzore e kanë kthyer vendin afrikano-verior si pikënisje të dhjetëra-mijëra emigrantëve ilegalë drejt brigjeve të Europës, duke ndërmarrë udhëtime në Mesdhe me varka shpesh të tejmbushura dhe pa kushtet minimale për të lundruar.

Ligjvënësit libianë bëjnë të ditur se me mijëra emigrantë afrikanë, që synojnë të arrijnë Europën, janë bllokuar nëpër qendrat e improvizuara të paraburgimit. Por, zyrtarët deklarojnë se nuk kanë më hapësira për të strehuar ata, asnjë mundësi apo rrugëdalje për të luftuar trafikantët, ashtu sikurse kanë mbetur edhe të pashpresë për të ruajtur frontet e thella nga shkretëtira për të parandaluar ardhjen e mijëra emigrantëve të tjerë, që mezi presin të prekin detin për të kërkuar kalimin drejt Europës.

“Ka ardhur koha t’iu themi qartësisht se, duhet të vini këtu, të bisedoni dhe të bashkëpunoni me ne. Me ne të qeverisë për shpëtimin kombëtar”, tha Mohamed al-Ghirani, ministër i Jashtëm në qeverinë me seli në Tripoli. “Nëse Europa nuk bashkëpunon, atëherë pas pak vitesh Europa do të jetë tërësisht e populluar nga njerëz me ngjyrë. Kontinenti i vjetër do të ndryshojë nga një Europë e bardhë në një Europë të afrikanizuar”, tha ai.

Mungesa e një autoriteti të unifikuar në Libi ka penguar virtualisht të gjithë bashkëpunimin me ndërkombëtarët, për t’iu kundërpërgjigjur krizës së emigracionit. Një ekip nga Bashkimi Europian, i cili ndihmonte në trajnimin dhe këshillimin e Rojes Bregdetare libiane, është evakuuar nga vendi.

Ndërkohë, thuajse të gjithë vendet europiane kanë mbyllur ambasadat e tyre nga Tripoli, si dhe kanë refuzuar të njohin qeverinë e Ghiranit, që mori kontrollin e kryeqytetit gjatë luftimeve të ashpra të një viti më parë. Në vend të tij, Europa njeh një qeveri “rrjedhëse”, e cila selinë e saj e ka në lindje.

Top Channel