Greqia “shokon” FMN, ministri i Brendshëm: Nuk paguajmë këstin e qershorit

24/05/2015 00:00

Greqia nuk mund të shlyejë këstin e radhës ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar që është parashikuar për më 5 qershor, për shkak se nuk ka parà gjendje. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Nikos Voutsis, për një televizion grek.

“Katër këstet e parashikuara përkundrejt FMN-së në qershor janë plot 1,6 miliardë euro. Këto parà nuk do të shlyen sepse nuk gjenden diku për t’u dhënë”, tha Voutsis. Greqia do të duhet të arrijë një marrëveshje me FMN-në dhe BE-në për të siguruar këstin e fundit të programit të shpëtimit nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Ndërkohë, ministri i Financave duket se është i një tjetër qëndrimi, pasi për BBC ka deklaruar se po bëhet progres në bisedime.

Yanis Varoufakis tha se Greqia ka punuar fuqishëm për të përmbushur detyrimet e saj për një marrëveshje me huadhënësit ndërkombëtarë, duke ua kaluar stafetën këtyre institucioneve për të përmbushur kushtet reciproke për nënshkrimin e një akordi të përbashkët.

“Greqia ka bërë hapa të mëdhenj për të arritur deri te marrëveshja”, tha ai. “Tashmë u mbetet institucioneve huadhënëse të bëjnë hapin e tyre. Kemi përmbushur kërkesat e tyre thuajse në 3/4-tat e gjërave, ndaj dhe atyre u ka mbetur vetëm 1/4-ta për t’u afruar me ne”.

Ministri i Brendshëm i Greqisë, Nikos Voutsis, është një prej “ekstremistëve të majtë” në partinë e radikalëve të majtë të Syrizas, por jo një figurë aq periferike sa të mos merret parasysh, ndaj dhe i është besuar një post i rëndësishëm në qeverinë “Tsipras”.

Top Channel