Rama në Divjakë e Roskovec, prezanton kandidatët dhe përuron 13 investime të reja

24/05/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama inauguroi 13 investime në sektorë të ndryshëm në zonën Lushnjë-Divjakë. Mes tyre, 6 objekte janë institucione arsimore. Rama u ndal fillimisht në shkollën 9-vjeçare të Grabjanit.

Ndalesa tjetër e Kryeministrit ishte pranë aksit “Tre Ura-Gërmenj-Divjakë” që po i nënshtrohet një rikonstruktimi të plotë, duke u kthyer në një aks, që siç theksoi edhe deputeti i zonës Erion Braçe, do të shërbejë për të gjithë fermerët e kësaj zone.

“Të dy tregjet, i Lushnjës dhe i Divjakës lidhen me rrugë, e njëjta gjë vlen edhe për pushuesit. Ta vijojmë këtë punë, sepse përveçse na lidh bashkinë e madhe, por në anën tjetër i jep zhvillim të gjithë pjesës bujqësore, duke e lidhur me zonën e Gradishtës. Kjo bëhet një rrugë bujqësore që i nxjerr lekët vetë për shkak të fluksit të madh”, tha Braçe.

Për të treguar shtytjen e qeverisë ndaj fermerëve, Kryeministri u ndal edhe në një biznes sërish në Divjakë, i cili pas mbështetjes financiare me 50% të investimit dhënë nga qeveria shqiptare, përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, ka mundur të arrijë deri në 5-fishim të eksporteve. Çka Kryeministri e ka premtuar edhe për shumë fermerë të tjerë.

Qytetari: Jam shumë i kënaqur. Këtu janë punësuar rreth 1500 persona, zinxhiri mund të shkojë deri në 3000 të punësuar.

Kryeministri Rama: Sipërmarrësit do të marrin 50% të investimit mbështetje, pa interesa, pa garanci, të cilat do t’i garantojë shteti. Besojmë se do të jemi në gjendje të vëmë në dispozicion të sipërmarrjes edhe 100 milionë dollarë në vit.

Një investim i nisur si një biznes familjar në zonën e Krutjes tashmë ka mundësinë të rritet e të fuqizohet si pasojë e legalizimit të tij pas më se 10 vitesh zvarritje, siç ka theksuar pronari i këtij kompleksi.

“Gjithçka është e formalizuar, e rregullt dhe unë mund të aplikoj për kredi, për subvencione të ndryshme. Deri tani kjo ishte e pamundur, për shkak se nuk kam pasur titull pronësie”, u shpreh pronari i kompleksit.

Kryeministri u ndal edhe në Divjakë, ku theksoi se demokratët e kërkojnë votën jo për zhvillim, por për bllokim.

“Ju do të kërkoni çerdhe ai do të thotë: poshtë qeveria; ju do të kërkoni kopsht, ai do të thotë: Rama-Meta; ju do të thoni shkollë, ai do të thotë: t’i rrëzojmë”, u shpreh Kryeministri.

Zoti Rama inspektoi edhe punimet për pedonalen e Divjakës, me gjatësi dy kilometra, ashtu si disa shkolla të restauruara apo të ndërtuara në të gjithë zonën, por edhe poliklinikën e qytetit të Divjakës që do t’u shërbejë të gjithë banorëve të zonës së re që përmbledh kjo bashki. Poliklinika do të ketë edhe një laborator të posaçëm për analizat e gjakut.

Në Roskovec, ku prezantoi kandidaten, Majlinda Bufi, Rama tha se nevojat e qytetarëve shkojnë përtej politikës anti-zhvillim të demokratëve.

Top Channel