Halim Kosova për arsimin: Kushte më të mira, cilësi dhe siguri në shkolla

24/05/2015 00:00

Mësim në kushte komode, me cilësi dhe siguri. Këtë pjesë të platformës për arsimin në Tiranë, Halim Kosova e diskutoi me disa prindër në njësinë shtatë.

“Një klasë nuk duhet të ketë më shumë se 32 nxënës dhe ky është parametri që ne kemi caktuar për 4 vitet e ardhshme, gjithashtu nëpër çerdhe kemi bërë qe mos të ketë më shumë se 25 fëmijë ku 3-4 edukatore do t’i mbikqyrin këta 25 fëmijë”-, është shprehur Kosova.

Për të konkretizuar premtimet, Halim Kosova thotë se nuk duhen vetëm paratë, por edhe menaxhimi i mirë i tyre. Ai solli shembullin e ndryshimit të kushteve në kirurgji ditët e para të punës si minister i Shëndetësisë.

“Vetëm për 20 ditë pune. Dhe me çfarë do të thoni ju? Nuk m’i dha asnjë nga shtëpia ime lekët, por ato që ishin për rikonstruksione, për shërbime, i mblodha, i vura në tavolinë, i mirëadministrova dhe stafi mjekësor kishte shumë ambiente komode pune, por dhe të gjithë pacientët dhe qytetarët që hynë në atë spital të paktën kishin kushte normale. Nuk po them luksi, por kushte normale”-, ka vazhduar kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës.

Kur e pyetën për rivalin Veliaj, Halim Kosova dukej qartë se nuk e çmonte dhe se dallimi mes të dyve është i një njeriu që vjedh me një njëri të ndershëm.
 
“Nuk e përfytyroj dot se si mund t’i dalësh qytetarëve t’u thuash ma jep votën kur po ta kthesh kokën nga mbrapa vetëm njolla të zeza ke dhe asgjë tjetër. Megjithatë, unë nuk do merrem me këto njolla, kam të fiksuar rrugën time për të shkuar në datën 21 qershor me besimin e plotë të të gjithë banorëve të Tiranës, për një fitore e cila do të jetë në radhë të parë fitorja juaj”-, ka përfunduar Kosova.

Top Channel